Haradinaj: Nuk jap dorëheqje!

0
237

Largimin e Listës Serbe nga qeveria, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e konsideroi një vendim të pakuptueshëm. Pavarësisht se mbetet pakicë në parlament, Haradinaj tha se nuk ka ndërmend të japë dorëheqjen.

“Dorëheqje nuk e kam plan me dhanë. Punën kam me vazhdu”, ka thënë Haradinaj gjatë konferencës për shtyp pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë.

“Veprimi i djeshëm nuk ka qenë i drejtuar kundër qytetarëve serbë, sikurse as zyrtarëve serbë, por i atyre që e kanë thyer ligjin”, tha ai.

Haradinaj ka thënë, po ashtu, se ka marrë përkrahje nga shumë deputetë, pas largimit të Listës Serbe nga koalicioni, pas arrestimit dhe deportimit të Marko Gjuriqit nga Kosova.

Një ditë më parë në Kosovë u arrestua Marko Gjuriq, i ashtuquajturi “shefi i zyrës për Kosovën” në Serbi.

Haradinaj tha se e kishte monitoruar çdo sekondë të procesit për arrestimin e Gjuriq, që nëse do të kishte pritur edhe 72 orë do ta kishte shmangur arrestimin e tij.

Ai tha se i kishin kërkuar Gjuriqit që të mos futej dje pa leje në Kosovë, por ai e kishte sfiduar shtetin e Kosovës.

“Ka ardhur koha të themi që nuk duhet askush të na testojë durimin. Është koha për dialog dhe bisedime në tavolinë. E pamë se çfarë ndodh dhe deri ku mund të shkojnë gjërat nëse nuk ka komunikim”,  tha Haradinaj.