Haradinaj paralajmëron SBASHK-un

Kryeministri i Kosovës ka bërë sot homazhe tek shtatorja dhe kulla e Haxhi Zekës me rastin e shënimit të 120 vjetorit të Lidhjes së Pejës.

Nga aty, Haradinaj foli edhe për çështjet aktuale, ndryshimin e kufijve, taksën dhe grevën në arsim, raporton lajmi.net.

Haradinaj tha se Lidhja e Pejës e ka forcuar lidhjen mes shqiptarëve, dhe se e njëjta u ka dërguar porosi edhe armiqve të Kosovës.

Sipas Haradinajt, me këto homazhe u dërgua porosia se nuk do të ketë më projekte të huaja në tokën e shqiptarëve, dhe se Kosova nuk ka çfarë të japë më.

“Lidhja e Pejës definoi lidhjen e shqiptarëve. Kjo po ashtu ka dërguar porosi për të drejtat e shqiptarëve. E drejta jonë ishte e rrezikuar nga fqinjët, dhe besa e Pejës dha kontribut i cili na mban edhe neve sot. Falë angazhimit të atëhershëm e kemi Kosovën si sot”, tha ai.

“Ne sot me homazhe dërguam porosinë që jemi në tokën tonë dhe dhamë mesazhin që s’ka projekte të huaja më në tokën tonë. Ne jemi mik për mikun, dijmë të jemi edhe mik për armikun, mirëpo shqiptarët nuk japin më”, shtoi Haradinaj.

Haradinaj foli edhe për vendosjen e taksës ndaj Serbisë, për të cilën tha se nuk është bërë për inat të askujt, mirëpo për mbrojtjen e interesave  nacionale.

Tutje tha se ky vit do të jetë vit i ekonomisë në Kosovë, dhe me investimet  e mëdha, synohet rritje prej 7 për qind.

“Ne sot importojmë qindra milionë mish në Kosovë, do të kishim mundësi të prodhojmë vetë po të kishim pas shumë më shumë ferma. Taksa e vendosur për mallrat nuk është bërë për inati të dikujt por është interes i joni nacional, dhe prodhuesit vendor duhet të prijnë me cilësinë e tyre. Ky vit është i ekonomisë dhe dje e kemi lajmëruar investimin më të madh  prej 1 miliardë e 600 milionë eurove, pra synojmë rritje prej 7 për qind”, ka thënë Haradinaj.

Haradinaj paralajmëroi edhe Sindikatën e Arsimit për grevën në këtë sektor, për të cilën tha se asnjë orë nuk do të kalojë pa u kompensuar.

Ai tha se sindikalistëve u është ofruar një zgjidhje e qëndrueshme, dhe se tërheqja nga ligji për pagat nuk ofron dalje nga kjo situatë.

“Projektligji për pagat nuk është vetëm për arsimin, është edhe për policët dhe 80 mijë njerëz të cilët paguhen nga shteti. Është në vetëdijen e tyre,u garantoj se asnjë orë nuk do të kalojë pa u kompensu. Rritja është e respektueshme. Ideja e sindikatës që me u ndalu ligji është ide e gabuar e tyre”, ka thënë ai.

Kujtojmë, se Haradinaj gjatë ditës së djeshme u takua edhe me ambasadorin amerikan, Philip Kosnett, me të cilin u diskutua mundësia e heqjes së taksës ndaj produkteve serbe.