Haradinaj takohet me rektorin dhe dekanët e UP-së

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur sot rektorin e Universitetit të Prishtinës, Marian Dema si dhe disa dekanë të fakulteteve të këtij universiteti.

Haradinaj përmes një postimi në Facebook ka shkruar se Universitetit i Kosovës është aset kombëtar dhe pikë orientuese e zhvillimit të shoqërisë sonë.

“Biseduam posaçërisht për mundësinë e modernizimit dhe rifunksionalizimit të laboratorëve, rritjen e efektshmërisë së instituteve nëpër fakultete, si dhe rigjenerimin e kapaciteteve kadrovike në fushat deficitare, veçmas në inxhinierinë elektrike dhe në fushën e matematikës”, ka shkruar Haradinaj.

Në këtë takim, si nismë e rrugëtimit që Universiteti i Prishtinës të jetë në hap me trendet bashkëkohore të arsimit, u dakordua që të bëhet një plan operacional që përfshinë rishqyrtimin e normativave ligjore të arsimit të lartë.