Haradinaj: Termocentrali “Kosova e Re” do të sjellë një revolucion në rritje ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se gjatë mbledhjes e sotme të Qeverisë, janë informuar nga përfaqësuesi i Contour Global se tashmë janë siguruar financat, dhe që në shkurt përzgjidhet projekti financiar dhe teknik për të proceduar në mars me punët e terrenit dhe për pak muaj edhe me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
“Një lajm i veçantë për sot është se investimi më i madh që nga paslufta në vlerë prej 1.3 miliard e ka pa dritën. Sot në Mbledhjen e Qeverisë nga përfaqësuesi i Contour Global jemi informuar se janë siguruar financat, në shkurt përzgjedhet projekti financiar dhe teknik për të proceduar në mars me punët e terrenit dhe për pak muaj edhe me ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”. Ky investim do të sjellë një revolucion në rritje ekonomike, i cili do të arrijë deri në 7%.
Në Mbledhjen e sotme të Qeverisë, kemi miratuar Projektligjin për Shërbimin e Jashtëm, i cili synon funksionalizimin e institucionit përgjegjës për politikën e jashtme dhe shërbimin diplomatik-konsullor.
Kabineti qeveritar ka miratuar ndryshimin dhe plotësimin e Vendimit të Qeverisë ku zëvendësohet emërtimi nga “Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës” me emërtimin “Ministria e Mbrojtjes”.
Po sot, nga kabineti qeveritar është autorizuar Komisioni për Privatizimin e Ndërmarrjes Publike Qendrore “Telekomi i Kosovës, i cili do t’i rekomandojë Qeverisë ofertuesin më të suksesshëm.
Miratimin e kabinetit qeveritar e ka marr edhe vendimi për miratim të nismës për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë për heqjen graduale të kontrolleve në kufirin e përbashkët”. RH