Haradinaj u drejtohet Thaçit, Veselit, Limajt e Mustafës: Pse kaq shpejt i pranuat kushtet e Serbisë

Kryeministri Ramush Haradinaj në një paraqitje para mediave ka akuzuar presidentin Hashim Thaçi se e ka orkestruar presionin diplomatik ndaj tij për heqjen e taksës.

Ai ka akuzuar edhe kolegët e tij të koalicionit, Veseli e Limaj, që kanë hequr shpejt dorë nga taksa, ndërsa nuk e ka kursyer as Isa Mustafën, shkruan Express.

Haradinaj ka thënë se presioni për heqjen e taksës buron nga politika në Prishtinë.

“Krejt këto janë produkt i Prishtinës, i politikanëve të Prishtinës. Yryshi i tyre me shku e me iu thanë që rritne presionin se ka me u heq taksa, sepse kanë hyrë në ndonjë obligim me Vuçiqin, dhe po dojnë me na qit para aktit të kryer. Presidenti Thaçi, njerëzit rreth tij, dhe ata që kanë hek dorë kaq shpejt prej taksës, të gjithë e bojnë këtë me idenë që me u zbatu një projekt që mundet me qenë i dëmshëm”, ka thënë Haradinaj.

Ai thotë se është i habitur se si ish-kryeministri Mustafa, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e Fatmir Limaj e kanë pranuar kaq shpejt kushtin e Serbisë për heqje të taksës, raporton Gazeta Express.

“Unë habitna edhe në Isa Mustafën, edhe në Thaçin, Veselin, e Limajn. Pse kaq shpejt me i pranu kushtet e Serbisë, qysh na me shku me kushte në tavolinë. Unë kam thënë se jam për pezullim, por pasi të shohim marrëveshjen se çka përmban, dhe jemi të sigurt në këtë marrëveshje e pezullojmë. Por nuk e pezullojmë sa për turizëm”, ka shtuar Haradinaj.

Kreu i Qeverisë ka folur edhe për atë që po përflitet rreth largimit të mundshëm të forcave amerikane nga Kampi i Bondsteel.

“Amerika operon globalisht për siguri, është garant i sigurisë dhe paqes për të gjithë globin. Mendoj që vendimet që janë folë si kërcënim për Bondsteel janë të hershme apo të avancuara, për shkak se një vendim i tillë mund të merret, por jo lidhur me taksën. Të gjitha argumentimet për vendosjen e taksës, ekzistojnë. Ajo mbetet deri në njohje. Ne i bëjmë apel SHBA-së, jo veç me qëndrua në Kosovë, por këtu janë në shtëpi të vet përjetësisht”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka akuzuar presidentin Thaçi se i ka bërë shumë dëme Kosovës me debatin për kufijtë.

“Shumë e du presidentin. Ai i ka bërë dëme të mëdha Kosovës me idetë e tij për dialogun. Edhe me avancimet për ndarje. Diskutimet e tij e kanë pru gjendjen ku jemi sot”, është shprehur ai.

Haradinaj thotë se nuk i ndihmon Kosovës të kërkohet heqja e taksës ndaj Serbisë, për t’u dukur proamerikan.

“Serbia ka provuar me na ndalë në të gjitha temat. Është keq që s’jemi unik tash. Vrapimi me u bo proamerikan për ta hequr taksën ndaj Serbisë, nuk na ndihmon”.

Kreu i AAK-së thotë se derisa nuk e sheh një kontratë që është e sigurt për Kosovën, nuk do të ndërmarrë ndonjë hap për pezullim apo heqje të taksës.

“Derisa nuk e shohim një kontratë për njohje, nuk kemi arsye me e qitë kamën në terr, pa e ditë se ku po e qesim”, ka përfunduar ai. /GazetaExpress/

Lini një Përgjigje