“Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë takuar edhe dy herë – kanë biseduar gjatë”

0
258

Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti janë takuar edhe dy herë të tjera, përveç takimit zyrtar në Presidencë për konsultimet për formimin e Qeverisë.

Kështu ka thënë opinionisti Baton Haxhiu në Info Magazine të Klan Kosovës.“Hashim Thaçi dhe Albin Kurti janë takuar dy herë. Dhe kanë biseduar gjatë”, është shprehur Haxhiu.

Publicisti Baton Haxhiu ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK nuk do të duhej t’i zgjatnin kaq gjatë negociatat për formimin e Qeverisë, pas harmonizimit të programit qeverisës.

“Ata që i kanë 60 vota dhe 70 e sa deputetë me minoritetet nuk do të duhej ta zgjatnin këtë cikël takimesh as për dhjetë ditë. Arsyeja e parë: e kanë shumicën; arsyeja e dytë: populli i Kosovës e do ndryshimin dhe arsyeja e tretë është se kanë qenë të gatshëm që të shkojnë edhe në koalicion parazgjedhor. Nuk do të duhej të përmendim arsye tjera pse negociatat po zgjasin kaq shumë”.

Haxhiu në Info Magazine ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje si fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit duhet të jetë më duarlirë në negociatat me LDK-në.