Haxhiu: Haradinaj është personalitet i paqëndrueshëm dhe se taksën po e mban për shkak të votave

Në një intervistë për Gazetën Zëri, deputetja e LVV-së, Albulena Haxhiu ka deklaruar se Ramush Haradinaj është një person jo konsistent dhe se këtë e ka vëtetuar me rastin e demarkacionit me Malin e Zi, ndërsa për taksën ndaj mallrave serbe ka thënë se Haradinaj po e mbanë këtë taksë për shkak të përfitimeve politike.

“Ajo e cila ka kërkuar heqjen e taksës dhe që ka pasur interes është Serbia dhe po, ka pasur presion edhe nga ndërkombëtarët, që ne e kemi konsideruar të papranueshëm, sepse këtë gjë e bën secili shtet normal, demokratik e që kërkon respektimin e sovranitetit dhe të integritetit të tij, secili shtet do të vendoste masa të tilla. Kur ka vendosmëri dhe konsistencë edhe ndërkombëtarët tërhiqen nga kërkesat e tyre. Ndoshta pikërisht kjo moskonsistenca dhe pikërisht që shumë prej përfaqësuesve të qeverisjeve të kaluara dhe aktuale, të cilët i kanë dëgjuar këto kërkesat e ndërkombëtarëve, kanë qenë servilë ndaj ndërkombëtarëve, gjë që është totalisht gabim dhe duhet ta ndryshojmë si mendësi, sepse ne duhet së pari ta respektojmë vetveten si shtet. Mirëpo duket që ka pasur një zmbrapsje sa i përket kësaj çështjeje. Është e qartë që Haradinaj nuk po e mban taksën sepse beson që është vendim i mirë (ndonëse unë e shoh si të tillë), por e ka hallin te goditja që mund ta marrë nga qytetarët e Republikës së Kosovës, se po, edhe qytetarët e kanë vlerësuar, prandaj nuk e heq, është mirë nëse s’e heq, bën mirë, pavarësisht interesave dhe qëllimeve që i ka. Taksa duhet të qëndrojë dhe Haradinaj të shkojë’, ka thënë Haxhiu për Zërin.