Haxhiu: Ne s’pranojmë aktgjykime që flasin për afate që s’i parasheh Kushtetuta

Albulena Haxhiu, ministrja në detyrë e Drejtësisë, ka thënë se partia e saj, Lëvizja Vetëvendosje, s’do të pranojë një aktgjykim të Gjykatës Kushtetuese për dekretin e presidentit për Avdullah Hotin e LDK-së kryeministër, nëse aty “flitet për afate që s’i parasheh Kushtetuta”.

Haxhiu ka komentuar raportimet në media se Gjykata Kushtetuese do t’i “caktojë” afat 15-ditor Lëvizjes Vetëvendosje për të dërguar emrin e ri të kandidatit për kryeministër.

“Kjo është e paprecedent. Mandati i saj është të interpretojë Kushtetutën jo të shkruajë amendamente kushtetuese. Ato votohen në Kuvend me 2/3 e deputetëve. Gjykata s’ka mandat të shkruajë nen, për sa kohë Kushtetuta s’flet për afate kohore, ajo s’mund ta bëjë një gjë të tillë. Ajo duhet të vlerësojë a është apo jo në përputhje me Kushtetutën dekreti. Ne kemi thënë se do të pranojmë interpretimin, por padyshim që nuk mund të pranojmë një aktgjykim që flet për afat që s’e parasheh Gjykata. Mbi ç’bazë është ngritur kur gjykata edhe atë kohë nuk pati vendosur afat (rasti VLAN v.j.). Edhe ata që kanë marrë pjesë në draftimin, zoti Arsim Bajrami ka përmendur një takim me përfaqësues të partive kur e kanë diskutuar këtë pikë. Ka qenë ideja që të lidhet mandatari me zgjedhjet. S’mund të ketë qeveri pa fituesin e zgjedhjeve. Ne kemi përdorur para gjykatës, argumentin që pas mocionit vendi shkon në zgjedhje. Neni thotë se presidenti mund ta dërgojë vendin në zgjedhje, si lejim pra, pasi që Kuvendi me 2/3 e rrëzon Qeverinë”, ka thënë ajo duke shtuar se Kosova ka mocion destruktiv e jo konstruktiv që kur të rrëzohet qeveria është i paraparë të ketë në mocion emrin e kandidatit të ri.

Sipas Haxhiut, “kur Gjykata Kushtetuese vlerësoi se s’kemi të drejtë, ne i kemi pranuar rregullat”, ndërsa ka shtuar se tash “s’mund të pranosh në rrethana të njëjta rregulla të ndryshme”.

“Jemi fuqizuar e dolëm të parët. Gjykata tha se s’mundeni të bëni qeverinë pa dalë e para. Nga 2014-a deri më 2020 ne punuam e kur dolëm në vend të parë, tash këta po duan të ndryshojnë rregullat e lojës pa u ndryshuar Kushtetuta. Ajo është ndryshuar më 2015 vetëm për Gjykatën Speciale, jo për nenet tjera që i kemi përfolur këto ditë. Për sa kohë janë këto rregulla, këto nene, vlen aktgjykimi i njëjtë. Ne pajtohemi që mund të jetë emër tjetër i mandatarit, që s’i takon partisë fituese, por propozimin duhet ta bëjë partia e parë. S’përjashton aktgjykimi që të ketë emër tjetër, por që i njëjti duhet të vijë nga partia që ka dalë e para në zgjedhje. Prandaj situata është e qartë, si të themi e zeza në të bardhë. S’ka dilemë. Ftoj edhe gjyqtarët të jenë në krye të detyrës e të mos bien pre e presioneve të askujt. Po thërras për drejtësi”, ka shtuar tutje Haxhiu në Interaktiv të KTV-së.

Ajo më tej ka thënë se nëse Gjykata vendos që qeveria bën të formohet pa partinë fituese, do të humbte kuptimi i zgjedhjeve.

Lini një Përgjigje