Haxhiu: Të shkarkohet Lluka, s’ka fuqi t’i ndalë oligarkët e ta shpëtojë Telekomin

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka thënë se duhet të ndërpritet menjëherë kontrata mes Telekomit të Kosovës dhe kompanisë Z-Mobile.

Haxhiu, gjatë një paraqitjeje në emisionin “DPT Te Fidani”, në televizionin T7, ka thënë se kjo do të kërkohet nëpërmjet një rezolute në Kuvendin e Kosovës.

Ajo po ashtu ka sulmuar ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, duke thënë se ai po rri duarkryq përballë krizës në Telekom.

“Një ministër, i cili, vetëm shikon përballë kësaj katandisje të Telekomit, dhe nuk e ka fuqinë për të ndalur oligarkët dhe për ta shpëtuar Telekomin, nuk i duhet vendit”, është shprehur Haxhiu.

“Ndikimi i oligarkëve po duket hapur brenda njerëzve në Qeverinë e Kosovës, të cilët nuk e kanë guximin ta bëjnë një vlerësim të kësaj kontrate”, ka thënë ajo.

“Nuk e kemi një mendim të ministrit Lluka për kontratën e Z-Mobile”, ka theksuar Haxhiu.

Ajo ka kujtuar se nga kontrata me Z-Mobile ka filluar shkatërrimi i Telekomit.