Historia e refugjates, Arnisa Morina

Migrimet e popullatës shqiptare gjithmonë kanë qenë faktor nxitës për një zhvillim të civilizuar. Në fakt, historia e migrimeve është histori e luftës së përhershme të njerëzve dhe tendencës drejt progresit dhe prosperitetit të përgjithshëm. Moszhvillimi, kushtet e vështira ekonomike, pamundësia për punësim dhe pasojat e luftës, janë arsyet kryesore për shkak të të cilave njerëzit vendosin të largohen nga vendi amë dhe të provojnë fatin në emigrim.

E tillë është edhe historia e Arnisa Morinës, nga fshati Gjergjicë e Komunës së Drenasit (Gllogocit) , e cila si një 3 vjeçare shkoi së bashku me familjen e saj në Kanada. Ata u vendosën në Brantford (Ontario) afërsi të Hamiltonit.

Këto ditë marsi, ajo kujtoi përjetimet dramatike të kohës së luftës të vitit 1999, kur mijëra prej tyre, fati i solli përtej Atlantikut nën kujdesin e drejtpërdrejtë të shtetit kanadez. Ajo e kujtoi edhe babain e saj, të cilin paramilitarët serb ia kishin vrarë në masakrën e Gollubovcit të Malishevës. Ndërsa, Arnisa ishte vetëm 3 vjeçare.

“Do të jetë gjithmonë e vështirë për mua mu rrit pa asnjë kujtim te Babait tim, por e di se ka qenë shumë më e vështirë për Nënën time. Ajo ka rritur gjashtë fëmijë vetëm, pa burrë. Deri më sot, unë nuk kam asnjë ide se si Nëna ime na mbrojti gjatë luftës dhe na mbajti gjallë. Kujtimi i luftës është gjithmonë i dhimbshëm dhe shkatërrues, por Kanadaja i ka dhënë familjes time dhe mua shumë arsye për të qenë te lumtur. Kanadaja më ka dhënë mundësinë për ta bërë Babain tim krenar, duke bërë diçka me jetën time për të treguar se ai nuk ka bërë sakrifica dhe ka vdekur për asgjë”, shprehet ajo.

“Që nga ajo kohë, Kanadaja ka qenë një strehë e sigurt për mua dhe familjen time. Ashtu si çdo viktimë e luftës në Kosovë, ne patëm humbur të drejtat tona, lirinë, sigurinë dhe lumturinë tonë”, tha ajo.

Edhe pse kujtimi i luftës është gjithmonë i dhimbshëm për Arnisën, e cila sot është studente në vitin e dytë të “Osgoode Hall Law School” në York University të Torontos, duket se Kanadaja i ka dhënë asaj dhe familjes shumë arsye për të qenë të lumtur me gjithë fatkeqësitë e së kaluarës. Ajo veçanërisht vlerëson përkushtimin dhe sakrificën e nënës së saj, Miradije Morina, e cila ia doli të rriste e vetme 6 fëmijë. Suksesi i Arnisës falë motivimit, këmbënguljes dhe përkushtimit të saj, nuk do shumë koment.

“Pas përfundimit të studimeve Bachelor, në degën e Kriminologjisë në “Wilfried Laurier University”, pranohem në një nga fakultetet më të mira të drejtësisë në Kanada”, thotë Morina, e cila shtoi se pret që vitin e ardhshëm të diplomojë si jurist. Ajo shprehet se do të realizohet ëndrra e jetës sime, në ushtrimin e profesionit si avokate.

Ajo falënderon shtetin e Kanadasë që ia dha mundësinë të bëjë diçka të rëndësishme në jetën e saj dhe për të treguar se sakrificat e babait të saj nuk i shkuan kot.

Arnisa, përveçse është studente e shkëlqyer, ajo është edhe një humaniste. Ajo ka dhënë kontributin e saj vullnetar në ndihmë të shkollës shqipe në Hamilton. Ajo po ashtu, vazhdon të jetë e angazhuar edhe pranë Albanian Canadian Excellence Society në Toronto.