Holanda në finale të Ligës së Kombeve (video)

Holanda është kualifikuar në finale të Ligës së Kombeve, pasi që në gjysmëfinale e mposhti Anglinë me rezultat 3 – 1.

Ishte minuta e 31-të,kur Matthijs De Ligt bëri ndërhyrje të gabuar në Marcus Rashford, duke shkaktuar penallti në favor të anglezëve.

Marcus Rashford e ktheu penalltinë në gol, për të zhbllokuar sfidën dhe për t’i dhënë epërsinë skuadrës së tij për 0 – 1.

Në pjesën e dytë ishte Holanda dominuese dhe arrin te goli në minutën e 73-të me anë të Matthijs De Ligt, i cili barazoi reultatin 1 – 1 dhe përmirësoi gabimin e tij.

Anglezët filluan të këndellen dhe arritën që të shënojnë një gol në minutën e 83-të të ndeshjes, por VAR e anuloi atë, për të shkuar ndeshja në vazhdime.

Në minutën e 97-të të vazhdimeve një gabim i mbrojtësit të Manchester City, Stones bëri që të vije edhe goli i epërsisë për holandezët që ishte një autogol i shënuar nga Kyle Walker.

Anglia pavarësisht se tentoi që ta kthejë rezultatin por ishte përsëri figurë tragjike John Stones i cili përsëri humbi një top që i lejoi Promes të shënoi edhe golin e tretë për Holandën në minutën e 114-të.

Holanda do të takohet në finale të Ligës së Kombeve me Portugalinë të dielën më 9 qershor.

Po ashtu, të dielën më 9 qershor do të luajnë për vendin e tretë Anglia me Zvicrën.