Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka akuzuar Qeverinë Haradinaj për “mashtrime elektorale” teksa ka deklaruar se zgjidhja për kërkesat e sindikalistëve të arsimit për rritje page është e thjeshtë.
Në një postim në Facebook, Hoti ka thënë se PAN-i në zgjedhje kishte kërkuar votat e mësimdhënësve duke u garantuar rritje page, ndërsa tash “me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës”.
“Dikur koalicioni i ‘punëve të mëdha’ kërkonte votat e arsimtarëve, duke iu garantuar 30% rritje të pagave. Tani me arrogancë u kërkojnë ndërprerjen e grevës. Mashtrimet elektorale kanë dalë sheshit. Kërkesat e SBASHK-ut duhet të merren në konsideratë, pasi nuk po kërkojnë rritje të pagës, por trajtim të barabartë në strukturën e pagave në sektorin publik”, ka thënë ai.
Sipas Hotit, zgjidhja e problemit për pagat e mësimdhënësve është e thjeshtë. Këtu ka thënë se qeveria duhet të ulë pagat për vete në mënyrë që të gjejë lehtësisht zgjidhjen.