Hoti: Haxhi Shala deshi të bëhet ministër – e mashtroi vetveten që shkoi në AAK

Anëtari i Kryesisë në Nismën Socialdemokrate Enver Hoti ka thënë se Haxhi Shala e mashtroi vetveten kur u largua nga kjo parti për të shkuar në AAK-në e Ramush Haradinajt.

“Me Nismën nuk po ndodh asgjë. Është ajo që ka qenë që nga fillimi. Me disa zgjedhje të reja që ka bërë, Haxhi Shala ka nisë një rrugëtim të ri. Janë disa individë që janë të mashtruar ndoshta në këtë situatë – është eufori. Nisma Socialdemokrate do ta vazhdojë rrugëtimin për t’u përgatitur për garat e ardhshme elektorale, edhe në nivelin lokal dhe atë qendror”.

“Haxhiu [Shala] e ka mashtruar pak vetveten, sepse ai ka qenë një figurë e respektuar në Nisma. Ka qenë në pozicion mjaft solid – shef i Grupit Parlamentar dhe deputet në të gjitha mandatet. Ai e ka përzgjedhur rrugën e vet që unë do ta vlerësoja si të gabuar, të nxituar, të paarsyeshme – dhe një rrugë të mashtruar”.

“Nëse njeriu udhëhiqet nga ndonjë lakmi gjithmonë vetëmashtrohet. Ai që ta ofron lakminë mund të të mashtrojë, por ndoshta e ka atë detyrë, sepse mendon ta forcojë subjektin e vet ose të fitojë ndonjë votë më tepër”.

Hoti në Edicionin Special në Klan Kosova ka thënë se Haxhi Shala kërkoi me çdo kusht të bëhet ministër.

“Ai ka qenë në debate ku e ka shprehur që në Nisma mungon demokracia dhe s’ka pasë hapësirë, gjë që nuk është reale. Nuk e ka thënë të vërtetën dhe e ka devijuar atë. E ka pasë hapësirën dhe një pozicion të vlerësuar. Për një njeri që merret me politikë nuk ka post më të lartë sesa shef i Grupit Parlamentar dhe të qenit deputet. I ka pasë të gjitha mundësitë që t’i shfrytëzojë”.

“Ka kërkuar që të jetë ministër. Nuk duhet ta fshehim, por ta themi hapur. Kërkesa e tij e vetme ka qenë që me çdo kusht të bëhet ministër. Ne kemi vlerësuar se nuk ka qenë momenti i duhur që Haxhi Shala të jetë ministër në qeverinë aktuale”.

Por, pse Nisma Socialdemokrate në krye me Fatmir Limajn nuk deshi që Haxhi Shala të jetë pjesë e Qeverisë Hoti?

“Ne kemi një grup parlamentar që është ky që është. Kemi pasë një grup të deputetëve dhe kemi menduar që deputetët e Nismës pakësohen numerikisht brenda funksionimit të grupit parlamentar”.

“Po ashtu duhet të largohet logjika e kërkesave imponuese për të marrë role ose funksione brenda partive politike dhe ne kemi dashur ta përçojmë këtë mesazh. Kemi vendosur brenda kryesisë të partisë që Haxhi Shala dhe të gjithë deputetët e tjerë të vazhdojnë të jenë deputetë, derisa ministrat t’i zgjedhim nga kuadrot e tjera. Ne nuk e humbëm Haxhi Shalën. Ai e humbi Nismën dhe do ta humb edhe veten”.

A e ka dëmtuar Nismën Socialdemokrate largimi i Haxhi Shalës – që me vete mori edhe disa anëtarë të tjerë?

“Secili njeri ka vota dhe mbështetje. Nëse flasim sa dhe a e ka dëmtuar, ne mendojmë se as nuk e ka dëmtuar dhe as nuk do ta dëmtojë. [Haxhi Shala] do ta dëmtojë vetveten dhe rrugëtimin e tij politik dhe të gjithë ata njerëz që për momentin po e gjen një mënyrë për t’i joshur me ndonjë mundësi që, fatkeqësisht, po ju ofron AAK-ja”.

Por, si ndikon kjo në raportet mes Nismës Socialdemokrate dhe AAK-së?

“Nisma ka qenë korrekte në partneritet me AAK-në që nga vitit 2014 dhe tutje. Rrugëtimi jonë i korrektësisë, bashkëpunimit dhe përpjekjet për bashkëpunim me AAK-në ka treguar se AAK-ja nuk është treguar stabile, por mashtruese, dinake dhe shpesh herë grabitëse e situatave të caktuara në raport me Nismën – por, edhe partitë e tjera politike. Ne vijmë në një pozicion që tregon se AAK-ja ka vepruar në mënyrë tinëzare në raport me Nismën, por edhe me partnerët e tjerë”.

“Kjo nuk do t’i ndihmojë AAK-së. Parashikoj që kjo do t’i kushtojë me humbje të madhe AAK-së – sidomos në zgjedhjet e ardhshme lokale”.