Hoti: Javën tjetër do të kalojë Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka vizituar njërën nga veraritë në Suharekë, ku edhe ka premtuar se në javën e ardhshme do të votohet ligji për rimëkëmbje ekonomike.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka thënë se kjo vizitë ka të bëjë për t’i dhënë mbështetje bizneseve dhe prodhimeve vendore, ku nga ky biznes 80 për qind e prodhimit del jashtë Kosovës, me shënimin made in Kosova.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës gjatë gjithë kohës së pandemisë është munduar që t’i mbështes bizneset, dhe janë bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme të krijohet fondi i cili do t’i ndihmon bizneset.

“Në kapacitetet tona jemi munduar që në këtë kohë të pandemisë të mbështesim bizneset duke iu falënderuar ministren e financave, ministren Bajrami, zëvendësministrin Krasniqi, që kanë bërë të gjitha aranzhimet e nevojshme që të na vënë në dispozicion fondin prej 365 milionë euro për biznese, prej së cilës 270 milionë euro janë shpërndarë deri më tash, përfshi 60 milionë më herët, 24 milionë në bujqësi, duke dyfishuar subvencionimet për hektar të vreshtave nga një mijë, në dy mijë euro… gjendja është vërtetë e rëndë, por do t’iu qëndrohet afër bizneseve edhe në muajt e ardhshëm për ta tejkaluar këtë situatë”, ka thënë Hoti.

Tutje, i pari i ekzekutivit ka premtuar se në javën e ardhshme do të kalohet ligji për rimëkëmbje ekonomike dhe do të definohen çështjet, ku përfshihen mjetet që do të marrin qytetarët nga kursimet e tyre por edhe lehtësira të tjera që do të bëhen për bizneset.

“Qeveria do të vazhdoj mbështetjen për bizneset edhe për vitin 2021, fillimisht me shumën prej 182 milionë euro, e cila pritet të rritet edhe me ndihmën e partnerëve ndërkombëtarë. Ligji për Rimëkëmbje Ekonomike do të miratohet në Kuvend javën që vjen. Do të përmbyllet kjo çështje, do të definohen edhe mjetet që do t’i marrin qytetarët nga kursimet e tyre dhe një listë e ndryshimeve ligjore përfshirë mundësinë për t’i shtyrë obligimet tatimore, për t’i heq ndëshkimet e nevojshme për të rishikuar TVSH-në në lëndë të parë të prodhimit vendor”, ka shkruar Hoti.