Hoti mirëpret propozimin e Grenellit që Ujmani të quhet “Liqeni Trump”, thotë se miku duhet nderuar

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka mirëpritur propozimin e ambasadorit Richard Grenell, që Liqeni i Ujmanit të quhet “Liqeni Trump”.

Hoti ka thënë se kjo do të ndodhë në shenjë nderimi për kontributin e presidentit Trump, për arritjen e marrëveshjes ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë, transmeton Telegrafi.

“E kam mirëpritur propozimin e ambasadorit Grenell që Liqeni i Ujmanit të quhet Liqeni i Presidentit Trump, në shenjë nderimi për rolin e tij të jashtëzakonshëm për arritjen e marrëveshjes historike për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë, si hap i madh drejt marrëveshjes përfundimtare politike, e cila duhet të rezultojë me njohje reciproke”, ka shkruar ai në Facebook.

Më tej ai ka shkruar se “ Në shenjë nderimi për rolin e tyre vendimtar për lirinë, pavarësinë dhe njohjen e shtetësisë së Republikës sonë anekënd botës, ne i kemi pagëzuar sheshet më të bukrua të qyteteve tona me emrat e personaliteteve më të shquara të Shteteve të Bashkuara Amerikës, si: Presidenti Klinton, Xhorxh Bush, Senatori Bob Dol, Sekretarja Medlin Olbrajt etj”.

“Kosova dhe qytetarët e saj do t’u jenë përjetësisht mirënjohës Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me të cilat, siç thoshte Presidenti Rugova, ne kemi miqësi speciale dhe të përhershme”, është shprehur ai.

Hoti ka pohuar se është traditë dhe kulturë jona për ta nderuar mikun.

“ Këtë traditë fisnike të të parëve tanë, ne do ta ruajmë dhe do ta kultivojmë gjithnjë”.

Ndryshe, i dërguari special i presidentit amerikan për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, ka thënë se Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord që Liqeni i Ujmanit, të quhet “Liqeni Trump”.

Këtë e ka bërë të ditur përmes një shkrimi në Twitter.”Ajo se si të quhet liqeni që gjendet në Kosovë dhe Serbi, ka qenë një pikë serioze pavarësisht kompromisit për studim të fizibilitetit për të krijuar vende pune dhe më shumë energji për rajonin… kështu që të dyja palët kanë rënë dakord për një emër të ri: Liqeni Trump”, ka thënë Grenell.