Hoti: S’ka reciprocitet pa u koordinuar me ShBA-në e BE-në

Në kohën kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) kanë intensifikuar angazhimin e tyre në negociatat Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se qeveria “Kurti” dialogun me Serbinë e sheh si të vetmin opsion për normalizim të marrëdhënieve në mes të të dyja vendeve.

Gjatë një interviste të dhënë për “Zërin” Hoti ka pohuar se Qeveria është për zëvendësim të taksës me masën e reciprocitetit, mirëpo ka konsideruar se paraprakisht duhet të ketë koordinim të plotë me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-në e me BE-në.

Përderisa ditëve të fundit është intensifikuar angazhimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e dialogut Kosovë – Serbi zëvendëskryeministri i parë i qeverisë “Kurti”, Avdullah Hoti, ka thënë se Kosova është pro vazhdimit të dialogut me Serbinë, pasi që kjo është forma e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare me Serbinë.

Kësisoj numri dy në qeverinë “Kurti” është shprehur se për cilindo veprim karshi Serbisë institucionet kosovare duhet të konsultohen fillimisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA-në) dhe me Bashkimin Evropian (BE), pasi vetëm nën aleancën e tyre mund të ruhet sovraniteti i Republikës së Kosovës.

Ndërsa i pyetur nëse qeveria “Kurti” duhet të vazhdojë me planin për vendosjen e reciprocitetit të plotë ndaj Serbisë, pavarësisht kundërshtimeve të bashkësisë ndërkombëtare, Hoti ka pohuar se qeveria e re është pro zëvendësimit të taksës ndaj produkteve serbe me reciprocitet të plotë, por Kosova assesi nuk guxon t’i rrezikojë marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë.