Humbje e madhe e hidhërim i thellë

Humbje e madhe e hidhërim i thellë

Fjalë përcjelljeje në amshim
për Agron Haradinajn
Gllogjan, më 5 mars 2023

​I dashur Agron,
​Nuk ishte koha që ti të largoheshe nga jeta. Por ja që megjithëse pas 25 vjetësh, lufta të mori me vete.
​Ti ishe një hero o luftëtar i pandalshëm.
​Ti ishe një shok, një djalë, një njeri me shumë vlerë në kuptimin e plotë të kësaj fjale.
​Unë pata fatin e madh të bëj një copë rrugë me ty o djalë. Dhe jam i bindur se rrugëtova me një hero. Sepse ty Agron në asnjë çast nuk të mungoi siguria, thjeshtësia dhe qartësia për detyrën, kurajoja dhe fuqia për të bërë më të mirën për lirinë e atdheut.
​Ti Agron, ishe një luftëtar i gatshëm për sakrificë, për të bërë më të mirën, për ta bërë çdo betejë dhe gjithë luftën të suksesshme.
​Unë duke qenë pranë teje jam ndjerë mirë, jam ndjerë i sigurt, jam ndjerë i motivuar, jam ndjerë i plotë dhe me shumë guxim, kam pasur më shumë besim te ajo që po realizohej.
​Ti Agron luftove gjithë jetën, që nga mosha e fëmijërisë për ta çliruar atdheun e të ishe i lirë. Dhe nuk mund të veproje ndryshe. Sepse ishe i biri i Ismajl Haradinajt. Ishe vëllai i Naimit e i Nasimit. Ishe bashkëveprimtar e bashkëluftëtar me luftëtarët më në zë në Glloxhan, në Dukagjin, në Kosovë e në gjithë kombin shqiptar. Ti luftove për ta parë të lirë familjen dhe gjithë shqiptarët, luftove për ta bërë botën një vend më të mirë.
​Ti Agron i deshe shumë shokët, bashkëluftëtarët dhe gjithë shqiptarët, sepse ndiheshe i obliguar për të vazhduar realizimin e një vepre, e cila themelet i kishte ndër breza. Prej Nasimit dhe prej teje e kam dëgjuar atë shprehjen e veçantë: ”Duhet të luftojmë fortë për të qenë të denjë të jemi bijtë e Ismajl Haradinajt”. Ky deklarim ju ka bërë shumë të mëdhenj në sytë e mi dhe në mendjen time i dashur Agron.
​Unë jam i lumtur që kam pasur fatin të jem bashkë me ty një pjesë kohe në rrugët e luftës. Sepse kisha dhe kam bindjen se kam ecur me një njeri që nuk ndalej dhe ishte i gatshëm për të kryer vepra të larta trimërie e vetëmohimi, që ishte i gatshëm për të dhënë jetën për atdhe. Kam ecur me një njeri që mishëronte vetitë më të mira të kohës së zjarrtë të Luftës Çlirimtare të Kosovës, duke qenë luftëtar i Ushtrisë së lavdishme Çlirimtare, që ishte bartësja e asaj lufte titanësh, e cila na solli lirinë dhe dinjitetin kombëtar. Kam ecur me një njeri i cili ishte dhe bëhej vazhdimisht shembull frymëzimi për luftëtarët e tjerë; një njeri i shquar për heroizmat e tij në çdo situatë.
​Ti e kishe mundur me kohë armikun Agron i dashur, për ty fitorja ishte thjeshtë çështje kohe. Dhe këtë bindje ua deklaroje luftëtarëve në çdo rast.
​Ti ishe bir i një vigani dhe bëre të gjitha përpjekjet t’i ngjash atij. Prandaj edhe vepra jote ishte e madhe dhe e lavdishme.

Të nderuar të pranishëm,
Agron Haradinaj bëri një jetë të mbushur plot me vepra kombëtare, plot me sakrifica, plot me vuajtje, plot me luftë. Dhe të gjitha këto jo për të lartësuar emrin e tij, por dinjitetin dhe identitetin e veprës së tij për komb e atdhe.
Ai mishëroj cilësitë më të larta të një luftëtari që mban pesha të rënda dhe ecën pa e kthyer kokën prapa për të parë madhështinë e veprës së tij. Duke e mundur armikun dhe për të vijuar më tej, pa zhurmë.
​Ishte një luftëtar i disiplinuar, ashtu siç kërkonte edhe nga të tjerët disiplinë të rreptë ushtarake dhe luftarake. Ishte i drejtpërdrejtë për ta fuqizuar gjendjen në interes të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
​Në çdo mjedis ai do të shquhej shumë me punën, veprimtarinë dhe luftën e tij, duke u bërë shembull frymëzimi e nxitjeje për të tjerët.
​Ai ishte përkrahës i luftëtarëve të rinj dhe me shumë sinqeritet u jepte ndihmën e nevojshme, për t’i bërë ata të ndiheshin të sigurt. ​
​Gjithnjë i ka inkurajuar luftëtarët, gjithmonë do ta gjente kohën për të biseduar me ta për të treguar përvojën e tij në vijat e frontit. Ishte aq miqësor sa bënte përshtypje për të gjithë, për qetësinë dhe lëvizshmërinë dinamike për të kryer detyrat e tij e treguar të tjerëve se si duheshin kryer ato. Prandaj edhe vlerësoj se Agroni ishte një hero, pasi të jesh i tillë nuk është kusht vetëm të jesh i famshëm, të jesh çdo ditë në ekrane të televizioneve, por të jesh i thjeshtë, i qetë, i urtë e me vepra të mëdha, të cilat zënë vend në jetën njerëzore.
​Ishte një hero sepse i ishte dedikuar përfundimisht atdheut të tij. Jeta familjare, personale dhe kombëtare e kishin bërë të tillë. Ai e kishte tejkaluar frikën e tij të brendshme dhe për hir të dashurisë ndaj atdheut mbante zgjuar trimërinë, duke tejkaluar dhembjen, ankthin dhe frikën, duke besuar te vetja dhe te ideja për të cilën luftonte.
Agron Haradinaj, një djalë të tregonte shumë i ri, por që ishte trim, i guximshëm, i pandalshëm. Ai ishte përzgjedhur e dërguar pranë meje për të kryer misionin e tij luftarak. Unë ruaj kujtimet më të mrekullueshme për forcën e tij, për besnikërinë, për dinamizmin, për papërtueshmërinë, për guximin, për aftësitë luftarake e për intelektin.
Agronin e vura në kontakt të drejtpërdrejtë edhe me ushtarakët e ushtrisë së SHBA-ve me të cilët bashkëpunoja unë, i cili kur unë mungoja komunikonte vetë me ta dhe nuk bëri asnjë gabim, nuk pati asnjë ngecje të çështjeve ditore të zjarrit të NATO-s. Vetëm ai kishte të drejtë të kërkonte zjarr, kur atë nuk ishte e mundur ta kërkoja unë. Vetëm Agron Haradinaj e kishte këtë të drejtë. Askush tjetër. Dhe mund të them pa hezitim se ai e ka kryer në mënyrën më të mirë të mundshme atë detyrë me përgjegjësi dhe ka ruajtur plotësisht sekretin e punës së tij, qoftë edhe nga kolegët e Qendrës operacionale të grumbullimit e përpunimit të informacionit të UÇK-së. Më mirë këtë e di bashkëluftëtari i tij më i afërt Gramoz Kelmendi.
I shpreh mirënjohje Agronit për atë veprimtari tepër serioze dhe me shumë përgjegjësi që pavarësisht se ishte jashtë fuqisë së tij e ka kryer në mënyrën më të saktë të mundshme.

​Agron i dashur,
​Do të takohemi një ditë, do të vij unë te ti.
​Të qoftë i lehtë dheu i tokës mëmë.

​Lavdi jetë dhe veprës së luftëtarit Agron Haradinaj.

Kudusi Lama