I mashtroi për banesën, ua mori paratë dhe vrau veten! Çiftit blen për herë të dytë banesën: Ja si ndodhi gjithçka

Historia e një çifti emigrantësh u transmetua mesditën e sotme në emisionin “Me Zemër të Hapur”, në “News24”.

Ishte viti 2007 kur Fredi dhe Manjola Zisko prenotuan e më pas blenë përfundimisht një apartament në qytetin e Durrësit. Prisnin dokumentet e shtëpisë, por kur mësuan se pronari po i zvarriste e gënjente e çuan atë në gjykatë. E fituan çështjen, por zotëria që ua shiti, pak kohë pasi mori të gjitha lekët, ndërroi jete. Për shkak të borxheve që kishte lënë pas, banka nxori në ankand shtëpinë e sapoblerë nga çifti Zisko.

U desh të futeshin në ankand dhe të blinin për herë të dytë banesën e tyre e të mos përfundonin në mes të katër rrugëve. Manjola Zisko thotë se vajza e pronarit duhet t’i kthejë paratë, por ajo është zhdukur dhe nuk mban asnjë përgjegjësi.

“Na kanë mashtruar, unë kam kaluar depresion nga stresi. Pronari i pallatit, ndaj nesh ka bërë krim. Na mashtroi, te noteri na vendosi një shumë prej 500 euro çdo muaj. Që kur doli shtëpia në ankand në vitin 2012, nuk kemi marrë asnjë para.

Shtëpinë e blemë me sakrifica, shitëm shtëpinë në Laç. Në atë kohë, e blemë me kontratë, e zgjodhëm pallatin, ishte duke u ndërtuar. Im shoq zgjodhi shtëpinë, por pas ndërtimin ne kuptuam që shtëpia nuk ishte ashtu siç e pamë në projektin fillestar.

Në atë moment kërkuam lekët. Ata na thanë nuk mundeshin për momentin, por thanë do e shesim dhe do ju japim lekët. Ata e shitën shtëpinë, nuk na dhanë lekët, por na dhanë një shtëpi tjetër. Na thanë letrat do i merrni kur të na jepni dhe këstin tjetër. Ne më pas i dhamë lekët, por më mbrapa mësuam se shtëpia ishte në kredi. Ne nuk i morëm letrat, sepse pronari gënjente. As letrat s’na dhanë e as lekët s’na dhanë. Më pas ne ju drejtuam gjykatës. Pronari tashmë ka ndërruar jetë. Pronari vrau veten. Përpara se të ndodhte kjo gjë, ai na premtoi se do na bënte me letra, por nuk ndodhi. Banka nxori shtëpinë në ankand dhe kjo ishte goditje për ne”, shprehet ajo.

Ndërkohë, në një lidhje telefonike nga Greqia, bashkëshorti i Linditës, Alfred Zisko, tregon kalvarin e përballjes me familjen që i dha shtëpinë dhe drejtësinë.

“Përpara se pronari të ndërronte jetë, na dha një apartament i cili nuk ishte në parametrat që ne kishim folur. I kërkova paratë, ai më tha do e vëmë shtëpinë në shitje dhe do të kthej paratë. Më tha nuk i kam lekët, por do të jap një shtëpi tjetër. Dhe më dha tjetrën, biem dakord, por më vonë mora vesh që shtëpia ishte në kredi. Kërkova letrat, ai nuk më hapte telefoni. Më tha të prisja, kaluan shumë vite, më humbi besimi dhe u detyrova e çova në gjykatë. Bëjmë gjyqin, ai ishte ende gjallë. Më tha që do shkojmë të bëjmë kontratë, sikur do merrja shtëpi me qira, bëmë një kontratë, e cila nuk u zbatua. Bëra gjyqin, e fitova, por lekë nuk po shikoja.

Aty kuptova që ky sipërmarrës po merrte shumë kërcënime, nga njerëz të ndryshëm, sepse ky kishte nisur të shiste apartamentet dy herë. Vajta te noteria dhe bëra një kontratë që dhëndri dhe vajza e pronarit, edhe nëse i ndodhte gjë atij, duhet të më bënin me letra. Pra, ata janë të detyruar të më kthejnë lekët. Se unë shtëpinë e ribleva, kur banka e nxori në kredi.
I bëra kallëzim në prokurori, por ata s’pranojnë që kanë firmosur, thonë që i kam detyruar me zor. Po bëj një vit e gjysmë dhe asgjë. Ai më tha “do të më vrasësh mua”, unë i thashë unë nuk behëm vrasës, dua lekët e mia”, tregon ai./BalkanWeb/