I paepur, dogmatik dhe jo i korruptuar. Me Albin Kurtin po vie një «antikolonialist» në krye të Qeverisë së Kosovës

Andreas Enrst, Neu Zürcher Zeitung

Përkthimi
Nexhmedin Gerguri

Ishte një marsh i gjatë deri ë krye të qeverisë së ardhshme të Kosovës. Kurti ia arriti falë radikalizmit dhe konsekuencës kryeneçe.

Kur Albin Kurti në natën në të gdhirë e hëna festoi në një det flamujsh, ishte ky triumfi për të cilin ai kishte luftuar paepur pesëmbëdhjetë vite me radhë. Veç kësaj, shefi i ri i Qeverisë së Kosovës është vetëm 44 vjeç.

“Ka shpresë”, ju drejtohej ai adhuruesve të tij përmes facebook-ut. “ Ka shpresë sot, sepse ju u treguat dje të guximshëm dhe e shpëtuat republikën nga shkatërrimi. Tash do t’i përvishemi së bashku punës. Erdhi dita!”.

Kjo tingëllon si një shpëtim. Është gjuha e një karizmatiku, i cili në rast nevoje thyen edhe rregullat kur këtë e kërkon “e mira e përgjithshme”. Dhe vërtet: Kurti ndezi mbushje të gazit lotsjellës në parlament për të penguar votimin e krijimit të një lidhjeje komunash serbe. Ky jo konvencionalitet i tij e bëri atë politikanin më të adhuruar të Kosovës sidomos në mesin e të rinjve, por edhe figurën e urryer të kundërshtarëve të tij.

Dhe të tillë ka shumë. Jo vetëm në mesin e rivalëve nga rangu i UÇK-së, të cilët ai të dielën i deklasoi, por edhe në mesin e diplomatëve perëndimorë, për të cilët nacionalisti i majtë ishte për një kohë të gjatë një person non grata. Ish-bashkëmendimtarët e tij ankohen për stilin e tij të hekurt drejtues: nënshtrim ose ndarje; s’ka rrugë të tretë.

Vetëm në dukje ndryshe

Dikur i qethi edhe flokët dhe bleu kostum dhe kravatë. Përndryshe ndryshoi pak. Në rrugën e tij të gjatë deri në krye të pushtetit, Kurti pothuajse nuk u çlirua nga ngarkesat e tij ideologjike. Ai mbeti nacionalist dhe kundërshtar i përzierjeve nga jashtë.

Para zgjedhjeve, gazetarët e pyesin se kur është në prag të marrjes së pushtetit a qëndron ende në idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë, Kurti përgjigjet indiferent se kjo çështje nuk është me prioritet. Së pari duhet ta mbrojmë vendin nga plaçkitja e partive qeveritare, të cilat e kanë kapur dhe po shfrytëzojnë atë. Por në të drejtën e qytetarëve, që me referendum të deklarohen për bashkimin e “dy shteteve shqiptare” ai qëndron ende.

Edhe qëndrimi i tij kontraverz ndaj shtetit kosovar ka mbetur. Në festën e fitores nuk u panë flamuj të Kosovës. Në vend të tyre u valëvitën flamujt kuq e zi – simboli i të gjithë shqiptarëve. Kurti e trajton shtetin e Kosovës si një huadhënie të protektorëve perëndimorë, të cilët atij në vitin 2008 i dhuruan arbitrarisht një kushtetutë. “Shtetet nuk dhurohen, por arrihen përmes luftës së popujve”, thoshte ai para shumë vitesh në një bisedë.

Për ta zmbrapsur Beogradin, serbëve iu dhanë të drejta të zgjeruara të pakicave. Beogradi megjithatë nuk u zmbraps, por vazhdoi me kontrollimin e pakicës serbe, e cila edhe pas një dekade ende nuk ndihet si në shtëpi të saj. Para se të flasë me Beogradin ai do të flasë me serbët e Kosovës, përsëriti Kurti disa herë në fushatën zgjedhore.

A do të ndihmojë Diaspora?

Por detyra më e madhe është ndërtimi i shtetit të ri tashmë të prishur. Nga një administratë, që shërben klientelës qeveritare, duhet të ndërtohen institucione, që prodhojnë të mira shoqërore: shëndetësinë, arsimin, sigurinë juridike. Drejtësia do të ketë rol qendror. Për ta bërë atë eficiente do të bëhet verifikimi i gjyqtarëve. Vetëm profesionistët dhe jo të korruptuarit do të mbeten edhe më tej në detyrë. Kjo tingëllon utopike, por këto janë premtimet e Kurtit, që bashkë me të qenit jo të korruptuar i sollën atij fitimin e zgjedhjeve. Edhe përkrahja e madhe e diasporës nga Zvicra, Gjermania dhe gjetiu ishte shumë e rëndësishme.

Shumë kosovarë në vende të huaja ndihen të lidhur me vendin e tyre, por nuk përfituan asnjëherë nga partitë qeveritare klienteliste. Përkundrazi, nepotizmi i tyre i mbanë ata larg nga investimet në vend. Me kapitalin dhe dijen e Diasporës, sipas kalkulimit të Kurtit, mund të lëvizë diç ekonomikisht.

Për çfarë arsye Kurti është për shumë kë i besueshëm? Me gjasë të tillë e bën kongruenca mes biografisë dhe ideologjisë. I lindur më 1975 në Prishtinë, student i elektronikës u politizua gjatë protestave të viteve 1990-ta. Më 1989 Milosheviqi pati hequr autonominë e Kosovës dhe pati etabluar një regjim apartejdi. Kurti qëndroi dy vite në një burg serb nga i cili u lirua më 2001 pas trysnisë ndërkombëtare.

Protektorati perëndimor, i krijuar pas tërheqjes së serbëve, nuk e kënaqi atë: “Problemi nuk qëndron te statusi i Kosovës, por te liria e munguar e qytetarëve të saj”. Dhe përgjigjja në këtë është vetëvendosja”, thoshte ai në një intervistë. Më 2004 krijoi një lëvizje me të njëjtin emër: Vetëvendosje. Më 2011 mori pjesë me sukses në zgjedhje. Lufta do të bëhet në institucione, por edhe jashtë në bazën demokratike, thoshte ai atëherë. Deri më sot shihet si një antikolonialist që lufton kundër kujdestarisë serbe dhe asaj ndërkombëtare.

Në prag të pushtetit

Kurti është i martuar me një politikologe norvegjeze me të cilën ka një fëmijë dhe materialisht jeton në mënyrë modeste. Përkundër humorit të tij, Kurti lë përshtypjen e dogmatikut, ç’është e vërteta të dogmatikut të arsimuar: ai lexon Gramshin, Fenonin dhe teorikë të tjerë të dekolonizimit. Dhe mund merret me mend se e ka lexuar edhe Leninin. Dhe Vetëvendosje është tash edhe “parti avangardë” dhe po troket në derën e pushtetit.