I paqartë vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi

0
295

Kuvendi i Kosovës miratoi të enjten platformën për dialogun mbi marrëveshjen përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Megjithatë, ende mbetët e paqartë çështja e vazhdimit të bisedimeve në Bruksel, meqë Qeveria e Kosovës ende e mban në fuqi taksën e vënë ndaj mallrave që vinë nga Serbia. Kjo e fundit i ka lëshuar bisedimet në nëntor të vitit që shkoi duke e kushtëzuar dialogun me shfuqizimin e taksës 100%.

Ekipi shtetëror për bisedimet me Serbinë kohët e fundit është marrë intensivisht me finalizimin e proceseve pas së cilave ata do të kishin legjitimitetin që të zhvillojnë bisedimet me Serbinë në Bruksel.

Partitë në pushtet në Kosovë, me gjithë mos-pajtimin e partive opozitare, ia dolën të miratojnë në Kuvendin e Kosovës platformën e dialogut me Serbinë, por nuk dihet se a do të mund të arrijnë të ecin tutje me bisedimet në Bruksel, derisa kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk e tërheq vendimin e ekzekutivit për taksën 100% ndaj mallrave serbe, të vendosur në nëntor të vitit 2008.

Beogradi zyrtar ka deklaruar se nuk ulën në tavolinën e bisedimeve derisa nuk hiqet taksa ndaj produkteve serbe.Ndërkohë, Kosovës i kanë ardhur kërkesa për pezullimin e taksës edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian. Megjithatë, kryeministri i Kosovës vazhdon të qëndrojë i palëkundur sa i përket qëndrimit për taksën, për të cilën thotë se do ta tërheq kur Serbia të njoh shtetësinë e Kosovës.

Njohësi i çështjeve politike, Behlul Beqaj thotë se derisa Beogradi zyrtar konsideron se zgjidhja e çështjes me Kosovës është te kufiri mes serbëve dhe shqiptarëve, taksa duhet të jetë edhe më e fuqishme. E Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës thotë se taksa është duke mbuluar diskutimet më të thella rreth procesit të dialogut Kos9ovë-Serbi.

Sipas saj, është nevojë urgjente ndërtimi i një konsensusi të përgjithshëm shtetëror mbi çështjen e dialogut Kosovë-Serbi, meqë siç thotë ajo, vazhdon të ketë polarizim në mes të qëndrimeve të krerëve të shtetit.

Krasniqi thekson se duhet të ketë një qëndrim të përbashkët, por duke mos rrezikuar shtetësinë e Kosovës, bazuar në shpalljen e pavarësisë në vitin 2008.Analisti Behlul Beqaj, thotë se çështja e ekipit negociator ka pas ide të mira, por duke përmendur letrën e presidentit Trump dërguar Vuqiqit dhe Thaçit, Beqaj thotë se ekipi shtetëror i Kosovës do të mund të shkojë në Bruksel vetëm sa për ‘sy e faqe’.Në platformën e votuar nga Kuvendi i Kosovës, theksohet që Kosova pret që procesi i dialogut të intensifikohet dhe përshpejtohet në vitin 2019, me qëllim të arritjes së një marrëveshje përfundimtare, gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të detyrueshme, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Serbia vazhdon të kushtëzojë dialogun me pezullim të taksës, ndërkohë bashkësia ndërkombëtare dhe aleati kryesor i fuqishëm i Kosovës(ShBA) në vazhdimësi po i bëjnë thirrje Kosovës që të rishikojë vendimin për taksën në mënyrë që sa më shpejtë të rifillojë dialogu Kosovë-Serbi./KP