I vënë zjarrin makinës së një gruaje, digjen dhe tri të tjera

Zjarrvënie e qëllimshme e një automjeti, digjen katër makina. Një zjarrvënie e qëllimshme në një automjet është regjistruar gjatë orëve të para të mëngjesit në fshatin Starovë në Pogradec, ndërsa si pasojë e flakëve janë dëmtuar edhe 3 automjete të parkuara ngjitur me të.

Objektivi i ngjarjes ka qenë një grua, ndërsa zjarri mësohet se është regjistruar rreth orës 02:00 të mëngjesit. Sipas Policisë, makina në pronësi të shtetases V.S. ka qenë objektiv i ngjarjes, teksa ishte e parkuar në një pikë karburanti. Tri automjete të tjera që ndodheshin të parkuara pranë, u dëmtuan gjithashtu nga zjarri, ndërsa mësohet se ishin lënë aty për t’u shitur.

Sipas të dhënave të Policisë, në informacionin zyrtar për shtyp u komunikua se: “Më datë 14.04.2019, rreth orës 02:00, jemi njoftuar se në afërsi të fshatit Starovë është djegur plotësisht 1 mjet tip ‘Benz’, pronë e shtetases V.S., si edhe janë djegur pjesërisht 3 mjete të tjera, të cilat kanë qenë të parkuara brenda një karburanti.

Grupi hetimor po punon për të zbardhur rrethanat e ngjarjes dhe për të përcaktuar shkaqet e rënies së zjarrit”.

Pasi policia nisi hetimet lidhur me shkakun e rënies së zjarrit në automjetin e parë, burime nga grupi hetimor bënë me dije se dyshohet për një zjarrvënie të qëllimshme, ndërsa edhe vetë vepra penale është klasifikuar shkatërrim i pronës me zjarr.

Ekspertët kanë mundur të përjashtojnë shkaqet aksidentale që do të çonin në djegien e makinës, pasi nga këqyrja e automjetit nuk janë konstatuar dëmtime në pjesët e brendshme, që do të ishin bërë shkak për zjarrin, i cili është shkaktuar nga faktorë të jashtëm. Ende nuk dihen shkaqet që mund të kenë çuar në djegien e makinës në pronësi të një femre, ndërsa po punohet për përcaktimin e një piste konkrete dhe identifikimin e autorëve.