Infektologu Krasniqi tregon sjelljen brenda shtëpisë

0
249

Në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, ndonëse ka mundësi për karantinim të personelit, aty nuk është izoluar askush prej stafit. Mjekët aty thonë se pas orarit të punës kthehen në shtëpi te familja. Disa mbajnë distancën sociale sipas rregullave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë edhe në shtëpi. Por, disa që kanë fëmijë të vegjël vazhdojnë kujdesin prindëror në shtëpi.

Një prej tyre është infektologu Valbon Krasniqi, i cili, duke folur për Radion Evropa e Lirë, tha se kjo gjendje nuk dihet sa do të zgjasë, andaj nga puna e gjatë që e bën në Klinikën Infektive të QKUK-së, kthehet në shtëpi. Por, në shtëpi, ai thotë se është vetizoluar dhe nuk ka kontakte të drejtpërdrejta me familjarët. “Jam baba i tre fëmijëve. Nënën të cilën e kam më në moshë e kam larguar në fshat për shkak se të moshuarit janë më të rrezikuarit nga koronavirusi. Unë në klinikë jam i mbrojtur me rroba, veshje speciale dhe pastaj edhe në shtëpi i kujdesshëm me higjienë e distancë. Shpresoj ta kalojmë sa më shpejt këtë situatë”, thotë Krasniqi për Radion Evropa e Lirë.