Intervenimi i NATO-s në Kosovë!

0
252

Para 19 vjetëve, përkatësisht më 24 mars 1999, forcat e NATO-s kishin filluar sulmet ajrore kundër caqeve ushtarake, policore dhe paramilitare serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Më poshtë po e paraqesim një kronologji të ngjarjeve që dërguan në intervenimin e NATO-s në Kosovë.

Me fillimin e proceseve të shpërbërjes së Jugosllavisë, problemi i Kosovës kishte ardhur duke u ashpërsuar deri në ato përmasa, sa që lufta çlirimtare e popullit shqiptar u bë e pashmangshme.
Çështja shqiptare, pas më shumë se një shekulli, sërish u shtrua në tryezat e vendosjes së fuqive të mëdha botërore, sërish përmes Kosovës, pas një lufte të përgjakshme, rrënuese dhe me përmasa gjenocidi për popullin shqiptar të saj. Kësaj radhe, edhe për t’i shlyer disa nga padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve, bashkësia ndërkombëtare u vu në krahë të luftës çlirimtare të popullit shqiptar. Luftën e bënë djemtë më idealistë dhe vajzat më të mira të këtij populli, të radhitur në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare kishte vënë në lëvizje gjithë mekanizmat e fjetur të diplomacisë ndërkombëtare. Qendrave të vendosjes ndërkombëtare, më shumë se një shekull, u kishte mjaftuar vetvetja, duke lënë anash një çështje shumë tragjike që e kishin shkaktuar vetë. Këto qendra nuk brengoseshin për copëtimin e gjeografisë kombëtare të shqiptarëve, si dhe për pushtimin dhe ripushtimin e një pjese të kësaj gjeografie nga fqinjët e shqiptarëve, ngase nuk kishin mundësi të merreshin as vetë shqiptarët.
Lufta e UÇK-së, duke vënë në lëvizje fuqitë botërore të vendosjes, u bë guri themeltar për zgjidhjen e çështjes shqiptare, si dhe për zgjidhjen përfundimtare të problemit të Kosovës. Ndërtimi i ngrehinës së Evropës së Bashkuar, mund të bëhet me sa më pak dhembje, në qoftë se ndreqet ajo që është prishur para më shumë se një shekulli, në jetën historike të shqiptarëve.
Në këtë mënyrë, falë diplomacisë perëndimore të prirë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe të vendeve kryesore të Evropës, palët ndërluftuese ishin takuar në Rambuje të Francës, më 6 shkurt të vitit 1999 i filloi punimet Konferenca e Rambujesë. Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit të Francës, synoi zgjidhjen e krizës në Kosovë.
Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Cristopher Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich, përfaqësues i shteteve të BE-së.
Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara.
Edhe rrethi i dytë i bisedime që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.
As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq që të pranojë marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare.
Po mbyllej shekulli XX dhe po fillonte shekulli XXI. Në historinë më të re të shqiptarëve, për herë të parë, fuqitë botërore të vendosjes ishin në të njëjtin krah me forcat çlirimtare të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për ta vënë në vendin e vet drejtësinë historike. Përkrahja botërore, më në fund, erdhi edhe si ndërhyrje ushtarake.
Edhe në historinë e forcës më të madhe ushtarake botërore, të Aleancës Veri-Atlantike ose siç njihet me emërtimin ushtarak NATO, për herë të parë ishin ndërmarrë aksione të aviacionit ushtarak mbi caqet 15 ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi, në mënyrë që t’i jepej fund luftës tragjike kundër shqiptarëve.
Ndërhyrja ajrore e NATO-s në Kosovë filloi më 24 mars të vitit 1999 dhe përfundoi më 12 qershor të vitit 1999. Gjatë kësaj ndërhyrjeje, në anën tjetër, Ushtria Çlirimtare e Kosovës po hynte në vitin e tretë të luftës kundër forcave pushtuesve ushtarake dhe policore serbe. Për herë të parë në historinë e luftërave çlirimtare në Kosovë, po bëhej luftë në tokë edhe nga ajri.
Qendrat e vendosjes në botë, kishin shumë dilema për luftën e UÇK-së. Herë i quanin terroristë ushtarët e lirisë së një populli, herë tjetër e quanin ushtri, në radhët e së cilës paskësh pasur edhe fundamentalistë islamikë. Më në fund, nën ndikimin e fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, pranuan se ajo ishte ushtri çlirimtare dhe ishte e vetmja forcë që kishte ndryshuar realitetin historik, jo vetëm në jetën shoqërore të shqiptarëve të Kosovës, por edhe për çështjen e pazgjidhur shqiptare në përgjithësi. Përkundër kufizimeve ndërkombëtare, përkundër ndalimit që i bëhet Kosovës që të mos ketë të drejtë të bashkohet me asnjë nga fqinjët e saj (bashkimi me atë pjesë të gjeografisë kombëtare nga e cila e kishin ndarë, me Shqipërinë), koha do ta dëshmojë drejtësinë e perspektivës historike që ka hapur lufta e UÇK-së.
Ndryshimi i realitetit historik në Kosovë, përmes luftës çlirimtare, ndikoi në ndryshimin e këtij realiteti edhe në hapësirat e Ballkanit, prandaj, bëri të mundur ndërhyrjen e Aleancës Veri-Atlantike. Në momentin kur merrej vendimi për ndërhyrjen e NATO-s, qendrat e vendosjes kishin dilemat e tyre, mosmarrëveshjet e tyre, pra edhe kërkimin e efekteve ndikuese të opinionit publik të vendeve të tyre, të cilat ishin shumë të ndryshme.
Në periudhën mars-qershor të vitit 1999, në Kosovë po ushtrohej gjenocid i paparë ndonjëherë mbi popullatën. Forcat ushtarake dhe policore serbe, duke mos arritur ta zhduknin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, siç kishin deklaruar disa herë, hakmerreshin në mënyrë barbare 16 mbi popullatën shqiptare. Po shkatërrohej çdo gjë shqiptare, vendbanimet, sidomos fshatrat, por edhe qytetet, po rrënoheshin, po digjeshin dhe po vidheshin monumentet kulturore, arsimore, historike dhe fetare. Qytetet, sipas përkatësisë etnike, u bën caqe të sulmeve të armikut dhe u shkatërruan disa prej tyre, si Gjakova, Peja, Deçani, Klina, Burimi (ish-Istogu), një pjesë e Prizrenit, një pjesë e Mitrovicës, si dhe qytete të tjera të Kosovës.
Popullata dëbohej nga vendbanimet. Pjesa më e madhe e saj u vendos në shtetin amë të shqiptarëve të Kosovës, në Shqipëri. Një pjesë tjetër u përzu për në pjesën shqiptare të Maqedonisë, si dhe për në pjesën shqiptare të Malit të Zi, kurse disa u vendosën në shtetet e Evropës Perëndimore, deri në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e në Australi. Forcat ushtarake dhe policore serbe, në bashkëveprim me të gjitha institucionet e tyre shtetërore, shkencore dhe kulturore, duke përfshirë këtu edhe kishën ortodokse sllave, kishin ndërmarrë operacionin famëkeq “Patkoi”, sipas të cilit Kosova duhej të ishte tokë e djegur. Përzënia e shqiptarëve nga toka e tyre po i ngjante eksodit biblik, siç thuhet në librat e shenjtë. Me këtë akt po zhbëhej një pjesë e tërësisë së kombit shqiptar dhe, për pasojë, po zhbëhej një pjesë e gjeografisë kombëtare.
Për këtë arsye madhore, fushata e ndërhyrjes ajrore e NATO-s ishte një përgjigje e pritur kaherë kundër zhdukjes së një pjese të një populli dhe të lirisë së tij. Me këtë ndërhyrje NATO-ja po fillonte një mision të ri në kuadër të ekzistencës së vet pesëdhjetëvjeçare, duke krijuar një moral të ri botëror, në të cilin diktaturat fashiste luftohen edhe me armë.
Fushata e ndërhyrjes ajrore e NATO-s kundër caqeve ushtarake dhe policore serbe në Kosovë dhe në Serbi zgjati 78 ditë. Makineria ushtarake serbe qëllohej në të gjitha strukturat e saj, edhe nga forcat ajrore të NATO-s, edhe nga forcat tokësore të UÇK-së. Kësisoj ishte krijuar një aleancë e re me përmasë botërore, ajo ndërmjet NATO-s dhe Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Më në fund, ushtria okupuese serbe ishte 17 detyruar të tërhiqej si humbëse nga territori i Kosovës, me Marrëveshjen Ushtarake të Kumanovës, në qershor të vitit 1999. Që në ditën e kapitullimit të ushtrisë serbe, filloi kthimi i shqiptarëve në vatrat e tyre të rrënuara.