Ironia me Adem Jasharin

Shkruan Arben Fetoshi

Në ditët e përkujtimit të Epopesë së UÇK-së – kurorëzimit të LAVDISË që shënoi kthesën më të rëndësishme në historinë e Kosovës, nderimi për Adem Jasharin dhe familjen e Tij është parakusht i ekzistencës politike dhe dinjitetit tonë si qytetarë, është përcaktim për të ardhmen dhe është përkushtim ndaj vlerave më sublime të LIRISË.

Nderimi për Adem Jasharin është Kosova e përparuar dhe funksionale, një vend që do të rrezatonte amanetin e gjakut të dëshmorëve.
Por, Adem Jashari nuk nderohet me statuse emocionale në Facebook e me vizita të kollarisura në Prekaz, sa herë vjen marsi apo sa herë formohet qeveria. Nuk nderohet Adem Jashari duke vazhduar të marrim edhe më tutje nga lavdia e Tij, për interesat tona personale apo partiake. Në fakt ne nuk e duam Adem Jasharin, por e duam vetëm lavdinë e tij për interesat tona në sferën publike.

Ne nuk i duam dëshmorët, por thjesht kemi nevojë t’i përkujtojmë ata si marketing për veten, s’ka rëndësi nga çfarë pozite apo roli që kemi.
Ironia me dëshmorët është e thellë dhe e frikshme.

Edhe 23 vjet pas Epopesë së Adem Jasharit, fëmijët tanë e “mësojnë” historinë e luftës në 2-3 faqe nga librat që ndërrohen sipas disponimit të pushtetit. Në 23 vjetorin e Epopesë së Prekazit, Adem Jashari edhe më tutje nuk “lejohet” në Prishtinë, në kryeqytetin e republikës. Mbase Ai duhej mbajtur larg qeveritarëve, por qasja skolastike për historinë e UÇK-së dhe “mohimi” i Adem Jasharit në Prishtinë, është ironizim me fatin tonë, me të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ironia mund të kthehet edhe në qëllim, për ata që vazhdojnë të përshpërisin kuloareve se ndoshta do të ndryshojë historia!?

(Ky shënim nuk vlen për qytetarët. Ata e kanë dëshmuar nderimin për dëshmorët dhe UÇK-në si vlera kulmore e Lirisë)