Isa Mustafa e Albin Kurti kontaktuan mbrëmë, sot pritet të takohen. LDK del me “ofertë”

0
242

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe ai i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kanë komunikuar direkt gjatë ditës së djeshme.

Siç mëson Gazeta Blic nga burime të saja brenda dy partive, Mustafa e Kurti janë dakorduar që të takohen sot pasdite.“Pas takimeve të organeve drejtuese të LDK-së dhe takimit që Albin Kurti kishte me presidentin Thaçi, dy liderët kanë folur përmes telefonit dhe janë dakorduar për një takim, që te zhvillohet sot pasdite”.

Sipas këtyre burimeve, Lidhja Demokratike e Kosovës mund të shkoj në këtë takim me ofertë të re për Vetëvendosjen.”Fillimisht do të insistojnë që pos presidentit ta marrin edhe postin e kryetarit të Kuvendit, mirëpo nëse Albin Kurti e VV nuk tërheqen, atëherë LDK do të kërkojnë kompensim për postin e kryetarit të Kuvendit.

Do të kërkohen dy ministri në kompensim të postit të kryetarit të Kuvendit, në mënyrë që njëra ministri t’i kthehet VV-së, në momentin që zgjedhet presidenti i propozuar nga ana e LDK-së”, thonë këto burime.

Kjo ofertë e LDK-së vjen pas dakordimit që kishte kjo parti në dy mbledhjet e mbajtura gjatë ditës së hënë.

Zyrtarisht as nga Vetëvendosje e as nga LDK nuk kanë konfirmuar për një takim të mundshëm ndërmjet Albin Kurtit e Isa Mustafës.