Isa Mustafa: Kadri Veseli i ka organizuar grevat

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka reaguar pas ndërprerjes së grevës në arsim, duke thënë se 500 mijë nxënës pësuan tre javë mësim për lojëra politike të Kadri Veselit.
Mustafa përmes një postimi në facebook ka akuzuar kryeparlamentarin Kadri Veseli për organizimin e grevave në arsim.
“Ai sot, në rolin e ”Kryeministrit” arriti marrëveshjen me Sindikatën për ndërprerjen e grevës. Z. Veseli i gjeti dhe i premtoi paratë, për të cilat Kryeministri Haradinaj deklarohej se nuk ka. Nga kjo rezulton se z, Veseli si Kryetar i PDK-së dhe i Kuvendit i ka organizuar grevat prandaj edhe bëri marrëveshjen për dalje nga greva”, ka shkuar Mustafa në postimin e tij në facebook.
Ai ka thënë se roli i Kryetari të Kuvendit, apo siç e ka quajtur Mustafa, “speaker”, nuk mund të shpjegohet ndryshe në këtë proces, pasi siç ka shkruar ai këto janë përgjegjësi të ministrit të arsimit dhe të kryeministrit.
“Shohim se çfarë marrëveshje tjetër do të bëjë z. Veseli javën e ardhshme”, ka përfunduar Mustafa.
Gjatë ditës së sotme është arritur konsensuesi që mësimdhënësit të ndërprejnë grevën dhe që nga e hëna të fillojë mësimi i rregullt.
Marrëveshja e arritur mes Qeverisë dhe SBASHK-u është bërë pas përmbushjes së kërkesave të tyre për rrijen e koeficientit në Projektligjin për Paga.