Ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë: Qëndrimi i Kurtit për bashkimin kombëtar është realist

325

Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë vizitës së djeshme në Lezhë, tha se Kushtetuta e Kosovës nuk lejon bashkimin me Shqipërinë.

Këtë deklaratë të Kurtit, ish-ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Islam Lauka, e quan si të përgjegjshme.

“Mendoj që është qëndrim realist pasi e kundërta është aventurë. I kam ndjekur këto zhvillime. E vlerësoj deklaratën e djeshme të Kurtit si të përgjegjshme, deklaratë të një burrështetasi, pasi dihet që Kurti flet nga pozitat e një udhëheqësi, që ka fituar pothuajse gjysmën e votave të elektoratit. Ajo që ai trajtoi, më duket se është nisje nga realiteti dhe nga konteksti historik dhe politik i Kosovës”, tha Lauka në Info Magazine në Klan Kosova.

Sipas Laukës, ka dallim në mënyrën se si është shprehur Kurti për bashkimin me Shqipërinë, në bazë të pozitave që ka qenë.

“Në analizën time, mendoj që Kurti ka vepruar drejt dhe tashmë kemi të bëjmë më një qëndrim realist, pavarësisht se konteksti në të cilin ka folur më përpara Kurti dhe dje është ndryshe. Edhe pozita e Kurtit, nuk është e njëjta. Ai kur ka folur për tezat për bashkim, ka qenë udhëheqës i opozitës fillimisht. Më përpara, ka qenë udhëheqës i një lëvizje. Ndërsa dje, ka folur si kryeministër në kontest tjetër”, u shpreh ai.