Ish-presidenti Thaçi do të mbrohet nga pesë avokatë në Gjykatën Speciale

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, do të mbrohet nga pesë avokatë në procesin gjyqësor në Gjykatën Speciale të Kosovës, me seli në Hagë.

Dhomat e Specializuara kanë publikuar sot dokumentin për aprovimin e avokatëve shtesë për Thaçin.

Thaçi do të mbrohet nga Sophie Menegon, David Hopper, Dastid Pallaska, Samuel Blom-Cooper dhe Pierre-Richard Prosper.

Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi ishin arrestuar dhe dërguar në Hagë në fillim të muajit nëntor. Aktakuza ndaj tyre është e përpiluar në 236 faqe.

Vendimi për konfirmim të aktakuzës sipas dokumentit është marrë më 26 tetor të këtij viti, mirëpo është publikuar më 30 nëntor.