Ishte shpallur i pafajshëm për vrasje, kosovari kërkon mbi 25 milionë euro dëmshpërblim nga shteti

Mbi 25 milionë euro është shuma që paditësi Flamur Hasani po kërkon nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) për qëndrimin e tij në paraburgim prej 2647 ditësh.

Sipas padisë, paditësi Hasani më 30 shtator 2013, ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata Themelore në Ferizaj, në rastin ku akuzohej për vrasjen e të dashurës së tij, e që më pastaj ky aktgjykim thuhet se ka marrë formën e prerë.

Fillimisht në seancën e së premtes përfaqësuesi i paditësit avokati Ilir Nikqi, gjykatës i ka dorëzuar prova shtesë dhe atë një raport psikiatrik të datës 25 shkurt 2021, si dhe disa shkresa të shqyrtimit të procedurës penale.

Ai tha se në këtë raport është konstatuar se paditësi nuk është i aftë për punë, andaj ka kërkuar një mendim nga ekspertja Nazife Hulaj, e cila më 13 mars 2019, kishte përpiluar ekspertizën nga lëmia e psikiatrisë për paditësin, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me këtë ekspertja Hulaj, tha se nuk mund të fliste me arsyetimin se i duhej kohë që të bënte një vlerësim më të thukt për ta parë gjendjen e paditësit se a ka ndryshuar brenda këtyre dy viteve pasi që siç tha ajo kishin kaluar dy vite nga përpilimi i ekspertizës së saj.

Pas kësaj përfaqësuesi i paditësit avokati Nikqi i ka propozuar gjykatës që të bëhet një plotësim i kësaj ekspertize ku detyrë e ekspertes së psikiatrisë tha se do të jetë të bëjë vlerësimin e paditësit sa i përket aftësisë së tij për punë duke u bazuar në raportin e dorëzuar në këtë seancë.

E në anën tjetër përfaqësuesi i të paditurës Besim Mustafa, e ka kundërshtuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit për plotësimin e ekspertizës së psikiatrisë me arsyetimin se nuk është kontestuese se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore.

Tutje, ai tha se për të paditurën nuk ishte kontestuese se paditësi ka përjetuar dhimbje shpirtërore për kohën sa kishte qenë i privuar nga liria, mirëpo kontestuese sipas tij ishte përcaktimi i dhimbjeve shpirtërore dhe manifestimi i tyre nga ana e ekspertës.

Andaj ai ka pyetur eksperten Hulaj, se a ka ndonjë instrument matës për dhimbjet shpirtërore që të bëjë matjen e intensitetit të lartë, të mesëm dhe të ulët ashtu siç e njejta kishte përcaktuar në ekspertizën e saj, si dhe a kishte pasur ndonjë raport mjekësor në shkrest e lëndës me të cilin është vërtetuar që paditësi gjatë kohës së privimit nga liria ka kërkuar ndihmë mjekësore nga lëmia e psikiatrisë.

Lidhur më këtë ekspertja Hulaj tha se nuk i kujtohej a ka pasur raport mjekësor në shkresat e lëndës mirëpo sipas saj paditësi kishte pohuar se ishte trajtuar nga Dr. Afrim Cana psikiatër, duke shtuar se nuk ka instrument matës por sipas saj e gjitha bëhet në bazë të intervistimit-amnezës, historisë dhe shkresave të lëndës.

Pas kësaj paditësi Hasani ka kërkuar nga ekspertja Hulaj që të jap sqarim lidhur me tabletat të cilat ishin të përshkruara në raportin psikiatrik të datës 25 shkurt 2021, për të cilat ekspertja tha se të njëjtat përdoren për trajtim të çrregullimeve mendore, ankthit, depresionit, stresit posttraumatik, stresit akut etj.

Ndërsa sa i përket ekspertizës financiare përfaqësuesi i paditësit avokati Nikqi nuk ka pasur vërejtje mirëpo vërejtje për të njëjtën pati përfaqësuesi i KGJK-së Mustafa i cili tha se nuk e kishte të qartë se si i njëjti kishte ardhur në përfundim se janë mbajtur 40 seanca gjyqësore.

Për këtë eksperti financiar Vehbi Imeri tha se i ishte referuar rregullores së Odës së Avokatëve të Kosovës të datës 20 dhjetor 2014, si dhe konsultimit me paditësin për të cilin tha se kishte deklaruar se ishin mbajtur mbi 40 seanca.

Pas kësaj përfaqësuesi i të paditurës Mustafa ka kërkuar që ekspertiza financiare të kthehet në plotësim vetëm sa i përket shpenzimeve gjyqësore për të cilat tha se e njejta duhet të bëhet duke u bazuar në procesverbalet dhe të gjitha veprimeve e ndërmarra në atë kohë.

Gjykatësi i rastit Alajdin Tërshnjaku e ka aprovuar propozimin e përfaqësuesit të paditësit që ekspertiza nga lëmia e psikiatrisë të kthehet në plotësim ku detyrë e ekspertes ai tha se do të jetë vlerësimi i paditësit se a është i aftë për punë duke u bazuar në raportin e fundit psikiatrik.

Po ashtu gjykatësi Tërshnjaku e ka aprovuar edhe propozimin e përfaqësuesit të KGJK-së që ekspertiza financiare të kthehet në plotësim vetëm sa i përket shpenzimeve gjatë gjykimit në seancat e mbajtura.

Ndërsa seanca e radhës ai tha se do të caktohet pas marrjes së plotësim ekspertizave nga lëmia e psikiatrisë dhe asaj financiare.

Fillimisht me padi paditësi Hasani ka kërkuar shumën prej 25,075,746.00 euro, mirëpo më parashtresën e datës 19 shkurt 2021, i njejti ka bërë precizimin e kërkesëpadisë duke e mbështetur në dispozitat e Kushtetutës së Republikës së Kosovës në nenin 22 dhe 29 paragrafin 5, në Konventën Evropiane për të Drejtat dhe Lirive themelore të Njeriut, në nenin 5 par. 5, në Kodin e procedurës Penale nenin 59, Ligjin për Marrëdhëniet e Detyrimeve neni 8, 9, 14, 136 par. 1, neni 137, 140, 169, 170, 173, 174, 183, 305, 378 dhe 382, dhe Ligji për procedurën kontestimore neni 14, si dhe në eskpertizën financiare të datës 16 nëntor 2020 dhe ekspertizën mjekësore nga lëmia e psikiatrisë, ku ka kërkuar shumën e përgjithshme prej 25,049,313.00 euro, në emër të dëmit material dhe jo material dhe atë me kamat ligjore duke filluar nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën përfundimtare si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 2,818.50 euro.

Sipas padisë së ushtruar më 9 mars 2015, paditësi Flamur Hasani, ishte privuar nga liria mbi shtatë vite apo 2647 ditë pa bazë, ku me aktgjykimin e datës 30 shtator 2013, paditësi është liruar nga aktakuza për të cilin aktgjykim thuhet se kishte marrë formën e prerë.

Në padi thuhet se pas lirimit nga akuza tani paditësi Hasani ka parashtruar kërkesë tek e paditura KGJK, për arritjen e marrëveshjes për dëmin e shkaktuar për qëndrimin në paraburgim prej 2647 ditësh, ku e paditura të njëjtit i ka ofruar shumën prej 36,284.00 euro, për dëmin material dhe jo material, shumë kjo e cila thuhet se ishte refuzuar nga paditësi.

Mbi këtë bazë paditësi ka kërkuar nga gjykata që të obligohet KGJK-ja që atij t’ia kompensoj shumën prej 25,049,313.00 euro, me kamat ligjore prej 8%, nga data e paraqitjes së padisë e deri në pagesën definitive, si dhe shpenzimet e procedurës kontestimore në shumën prej 2,818.50 euro.