Ismaili për ryshfetin në QKUK: Shëndetësia nuk do të bëhet strehë e korrupsionit

0
313

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, ka paralajmëruar të gjithë personelin shëndetësor që secili që dyshohet dhe zihet duke bërë vjedhje apo duke marrë ryshfet nga pacientët për tu kryer një shërbim shëndetësor, do të ballafaqohen me ligjin.

Ministri Ismaili ka thënë se në asnjë formë nuk do të lejojnë që spitalet e Kosovës të bëhen streha të korrupsionit.

“Nuk po i përmirësojmë kushtet në Institucionet Publike Shëndetësore që ato të bëhen streha të korrupsionit. Të gjithë ata që mendojnë se do të mund të keqpërdorin detyrën zyrtare duke vjedhur qytetarët tanë do të ballafaqohen me ligjin. U njoftova nga drejtoria e SHSKUK për suspendimin e menjëhershëm të rastit të marrjes së ryshfetit. Arrestimet dhe largimet nga puna janë të vetmet përgjigje që kemi për ta. #BashkëeNdreqim”, ka shkruar ministri Ismaili në faqen e tij në Facebook.

Ky reagim i ministrit të Shëndetësisë vjen menjëherë pasi sot u raportua se Policia e Kosovës ka arrestuar një punonjëse shëndetësore e cila është kapur në flagrancë duke ia marrë 400 euro një pacienti për ti kryet një shërbim shëndetësor.

Punëtorja e cila punonte në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, është arrestuar nga policia e Kosovës për marrje ryshfeti.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, ka pranuar informacionin se e dyshuara femër (me inicialet F.C.) punëtore në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, ka kërkuar para (të holla) në vlerë prej 400 euro nga viktima me qëllim që t’i rregulloj disa dokumente mjekësore, për përfitim të një pensioni si viktimë civile e luftës”, thuhet në komunikatë.