Ismaili: Po thërrasim seancë të jashtëzakonshme për Badovcin

0
218

Partia Demokratike e Kosovës në Prishtinë ka inicuar seancë të jashtëzakonshme në Komunën e Prishtinës për situatën e liqenit të Badovcit.

Ministri në detyrë i shëndetësisë, njëkohësisht kryetar i degës së PDK-së në Prishtinë, Uran Ismaili, ka thënë se partia e tij do të thërras seancë të jashtëzakonshme në Kuvendin Komunal të Prishtinës në lidhje me cështjen “Badovci”.

Ismaili ka thënë se në këtë seance PDK jo vetëm që do të kërkojë ndaljen e çfarëdo ndërtimi që eventualisht tentohet të bëhet në atë zonë, por do të dalin edhe me kërkesa konkrete për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e asaj zone në dobi të të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

Lexoni reagimin e plote të Uran Ismailit:

“Gjatë këtyre ditëve kam parë shumë reagime dhe pakënaqësi të qytetarëve në lidhje me lajmet për ndërtime në liqenin e Badovcit. Përderisa kam ndjekur edhe disa përgjigje zyrtare, për mua, ashtu sikur për të gjithë të tjerët, akoma shumëçka mbetet ende e paqartë.

Si një banor i Prishtinës, duke ndarë shqetësimin me qindra qytetarë të cilët me të drejtë janë të brengosur, në mbledhjen e fundit të kryesisë së Degës së PDK-së në Prishtinë kemi vendosur që përmes asambleistëve tanë në Komunë të thërrasim një seancë të jashtëzakonshme.

Në këtë seancë, ne jo vetëm që do të kërkojmë ndaljen e çfarëdo ndërtimi që eventualisht tentohet të bëhet në atë zonë, por do të dalim edhe me kërkesa konkrete për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e asaj zone në dobi të të gjithë qytetarëve të Prishtinës.

I ftoj asambleistët e të gjitha partive që t’i bashkohen kësaj nisme me rëndësi të madhe për qytetin tonë dhe për qytetarët tanë.”