Ismet Kryeziu: LDK po kërkon pozitat që i takojnë partisë së parë

0
272

Ismet Kryeziu nga KDI ka thënë se kërkesat e LDK-së ndaj Vetëvendosjes janë sikur të ishte partia e parë.

Ai tha se me gjithë ato pozita që po i kërkon partia që doli e dyta nga zgjedhjet e fundit do të fitojë pushtet, njofton Klan Kosova.

Megjithatë sipas Kryeziut këto dy parti sollën një format të ri me negociatat e tyre për arritjen e një marrëveshje.

“Mendoj se ka filluar një format i bisedimeve ndryshe ngase jemi mësuar t’i shohim në Kosovë pas 6 tetorit.

Ky është një format i njohur që e bëjnë partitë në Perëndim gjithashtu ka qenë edhe në këtë fazë mes Vetëvendosjes dhe LDK-së duke i kaluar të gjitha fazat e marrëveshjes së tyre për të heshtur dhe të mos japin informata për publikun, e cila shkon paketë në emrin e marrëveshjes “Për të gjitha apo për asgjë”.

Kjo marrëveshje nënkupton pikën kulminante të arritjes së marrëveshjes dhe më tej të komunikohet në forumet partiake dhe t’i jepet informacioni publikut”.

“Gjatë këtij procesi ndodhi ngërçi në pikën e presidentit. Kjo erdhi si rezultat se nuk e kanë lexuar rezultatin e 6 tetorit mirë.

Vetëvendosje u soll si partia absolute e zgjedhjeve dhe LDK-ja s’po mund ta pranojë humbjen e zgjedhjeve apo daljen e dyta në zgjedhje.

Pra, kjo nuk i vuri në balancë mes vete duke tentuar që të dyja partitë të duken fituese në ndarjen e pushtetit”.

Kryeziu tha se ishte Albin Kurti ai që e theu marrëveshjen me LDK-në për paraqitjet publike dhe nxjerrjen në publik të mosmarrëveshjeve.

“Kurti e theu marrëveshjen duke dalë në deklaratë me konferencën e Glauk Konjufcës apo paraqitjen publike apo edhe strategjikisht e përdori këtë për të treguar problemet brenda dhe për të ushtruar presion mbi LDK-në dhe për ta nxjerrë si shkaktare dhe pengesë e arritjes së një marrëveshje”.

Sa i përket zgjedhjes së Glauk Konjufcës kryeparlamentar, Kryeziu tha se kjo e ka sjellë vendin sa më afër zgjedhjeve.

“Gjithsesi LDK është munduar të sillet në këtë presion dhe erdhi deri te një situatë e zgjedhjes së Konjufcës kryeparlamentar duke e bërë një situatë sa më afër zgjedhjeve.

Për arsye se derisa ne nuk kishim marrëveshje dhe nuk kishim konstituim të Kuvendit, ndërsa tani kemi Kuvendin që mund të mblidhet nesër dhe mund të diskutohet për vakuumin instuticional dhe mund të vijë deri te shpërndarja e parlamentit qoftë edhe me 40 deputetë apo qoftë edhe me ftesën e kryetarit.

Tani ne jemi më afër zgjedhjeve në aspektin ligjor. Pra jemi në një situatë politike që mund të prodhojë situata të reja dhe të ndryshme”.

Kryeziu në Zonën e Debatit tha se Vetëvendosjen nuk e sheh si një parti që i frikësohet pushtetit dhe as si provokuese e zgjedhjeve si ikje të përgjegjësisë që ia dha 6 tetori.

“Nuk është se Vetëvendosje ka mungesë të guximit për të adresuar çështje të mëdha si dialogu apo Gjykata Speciale, bile për këtë të fundit nuk ka përgjegjësi as politike as ligjore.

Dialogun s’e shoh si problem dhe kjo parti as nuk po provokon zgjedhjet sepse atëherë pse duhet të qëndrojë në opozitë?”.

“Vetëvendosje nuk është në gjendje t’i japë subjektit të dytë pozitën që i takon së partisë. Me kryeparlamentarin, presidentin dhe me 5 ministri është subjekti fitues.

LDK po synon të jetë partia fituese. Asnjëherë në Kosovë nuk i ka pasë dy pozita kryesore një parti e dytë. Marrja e pushtetit dhe e përgjegjësisë e nxjerr fituese LDK-në”.

Por Kryeziu tha se me Kushtetutë nuk mundet që Albin Kurti si fitues i zgjedhjeve ta dërgojë i vetëm Kosovën në zgjedhje, pasi për këtë duhet edhe miratimi i partive të tjera.

“Kurti nuk e ka mundësinë që aq lehtë të na çojë në zgjedhje. Presidenti e ka mundësinë që t’ia japë mandatin dikujt tjetër. Kurti mund ta refuzojë, por jo aq lehtë ta çojë vendin në zgjedhje”.

“Kemi alternativa për të mos shkuar në zgjedhje dhe kjo nuk është në interes të Kosovës. Zgjedhjet prodhojnë situatë të re politike, nëse Kurti s’arrin marrëveshje dhe provon me qeverisjen e pakicës, me LDK-në që ka thënë se do ta përkrahë dhe AAK-në që ka thënë se do ta përkrahim për të mos e dëmtuar Kosovën”

“Mendoj se do të shikohet një mundësi potenciale e zgjidhjes tjetër që pas një viti të shkohet në zgjedhje bashkë me presidentin. Nëse Kurti s’pajtohet me këtë situatë, besoj shumë se ai do të provojë edhe qeverinë e pakicës.

S’besoj që do t’i sjellë ndonjë dëm Kosovës që ta çojë vendin në zgjedhje apo të refuzojë mandatin. Por

Kurti edhe nëse s’arrin marrëveshje me LDK-në nuk guxon ta refuzojë mandatin në mënyrë zyrtare sepse kjo nënkupton që t’ia jep mundësinë tjetërkujt dhe s’besoj që tjetërkush ta refuzojë këtë”.

Kryeziu tha se bashkësia ndërkombëtare nuk po e sheh të arsyeshme të interferojë në këtë proces derisa të ketë ndonjë ngërç.

Sipas tij Bashkësia Ndërkombëtare është shumë korrekte duke e parë dhe e vëzhguar procesin dhe nëse do të kishte bllokadë atëherë do të marrin pjesë.