Ja çka zbulon Albulena Haxhiu nga takimet e fundit

0
293

Dhjetë takime rresht mes liderit të Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurtit dhe atij të Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafës si përpjekje për formimin e koalicionit qeverisës kanë përfunduar pa dakordim.

Ndonëse në takimin e së enjtes krerët e të dyja partive deklaruan se ka pasur përafrim të qëndrimeve sa i përket marrëveshjes, në takimin e së enjtes asnjëri prej tyre nuk dhanë detaje rreth takimit por që u kuptua që nuk kishte marrëveshje.

Në LDK thanë se në takimin e fundit partia e Isa Mustafës i ka paraqitur një ofertë partisë së Albin Kurtit, për përgjigjen e të cilës janë në pritje.

Avdullah Hoti i LDK-së përmes një statusi në Facebook të enjten në mbrëmje tha se partia e tij ia ka bërë një ofertë LVV-së, por se pa dhënë detaje se çfarë konkretisht kanë paraqitur në tavolinën e bisedimeve. “Të gjitha supozimet dhe hipotezat që po qarkullojnë sonte nëpër medie rreth diskutimeve të sotme në mes të LDK dhe LVV janë të pavërteta.

LDK, në mirëbesim dhe me vullnet për të arritur marrëveshje, i ka paraqitur ofertën LVV-së për bashkëqeverisje’, ka shkruar Hoti.

Periskopi ka kontaktuar me deputeten nga radhët e LVV-së Albulena Haxhiu për kuptuar se për çfarë ofertë bëhet fjalë, por që Haxhiu nuk ka dashur të japë detaje. Haxhiu i tha Periskopit se zbulimi i këtyre detajeve do të pengonte arritjen e një marrëveshjeje të mundshme. “Ne jemi ende duke u angazhuar për të arritur marrëveshje. Deklaratat tona zyrtare janë te tilla në mënyrë që të mos cenohet në ndonjë mënyre përpjekja për arritjen e marrëveshjes. Pra nuk mund të japim detaje në këto rrethana sepse shpalosja e detajeve në këto rrethana nuk ndihmon.

Prandaj, edhe ndonëse është e pakontestueshme e drejta e qytetarëve për t’u njoftuar për këtë proces me shumë rëndësi, shpresoj në mirëkuptim në ketë fazë”, ka thënë Haxhiu.

Me këtë deklaratë Haxhiu ka zbuluar se në tavolinën e bisedimeve ka varianta të reja, ashtu siç ka deklaruar LDK pas zgjedhjes së kryeparlamentarit.