Ja kur do të jepen shtesat për fëmijët sipas qeverisë

Fëmijët kosovarë nuk do t’i marrin shtesat këtë vit, siç u premtua. Rezoluta e votuar në Kuvendin e Kosovës ende nuk është hartuar në ligj nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe rrjedhimisht me këtë vonesë nuk do të mundë të përfshihet as në buxhetin e vitit 2019, kur të dalë në votim, shkruan sot gazeta “Zëri”.
Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, Haki Shatri, ka thënë për gazetën “Zëri” se është pothuajse e pamundur shpërndarja e shtesave për fëmijët në këtë vit. Shatri ka përmendur shumë faktorë që do ta pengonin këtë çështje, ndër ta edhe mospërfshirja e kësaj rezolute në buxhetin e vitit 2019.
“Buxheti i këtij viti është miratuar në Qeveri pa këtë komponentë, pastaj ka shkuar në Kuvend dhe është miratuar në lexim të parë, tash është në proces të amendamentimit për lexim të dytë dhe të shohim grupet parlamentare çka do të propozojnë të vendosin për lexim të dytë, por nuk mendoj që kanë arritur ndonjë dakordim që kjo çështje të zërë vend në buxhetin e këtij viti”, është shprehur Shatri.
Shatri thotë se shpërndarja e shtesave është e mundur për vitin e ardhshëm vetëm pasi që rezoluta të bëhet ligj.