Ja kur është koha më e përshtatshme të përdoren ilaçet për shtypjen e gjakut

Përdorimi i ilaçeve për rregullimin e shtypjes së gjakut në kohën e gjumit, e jo gjatë ditës, e përgjysmon rrezikun nga sulmi në zemër. Ky është rezultati i një studimi të rëndësishëm për këtë problem shëndetësor.

Ekspertët mjekësorë thanë se këto gjetje mund ta transformojnë mënyrën se si përshkruhen këto ilaçe nga mjekët. Megjithatë disa pyetje kanë mbetur ende pa përgjigje, përfshirë arsyen pse këto ilaçe kanë ndikim më të mirë natën sesa ditën.

Profesori Ramon Hermida, autor i këtij studimi nga Universiteti i Vigos në Spanjë, tha se dallimi në efekt mund të jetë për shkak të ndryshimit të proceseve dhe përqendrimit të elementeve kimike në trupin e njeriut në pjesë të ndryshme të periudhës 24-orëshe.

“I njëjti ilaç, e njëjta molekulë, në të njëjtën sasi, e përdorur në kohë të ndryshme, ka ndikim krejtësisht tjetër dhe për këtë arsye duket sikur është një ilaç krejt tjetër”, tha profesoi Hermida.

Sipas hulumtimeve të kaluara, shtypja e lartë e gjakut gjatë natës dhe ditës është faktor rreziku për probleme kardiovaskulare, përfshirë sulmet në zemër. Prandaj, marrja e ilaçeve në mënyrën dhe kohën e duhur vlerësohet si shumë e rëndësishme për shëndetin e personave që kanë probleme me zemër, shkruan “The Guardian”, transmeton Gazeta Express.

Lini një Përgjigje