Ja pse mund të infektoheni me COVID-19 edhe pas vaksinimit

Vaksinat kundër koronavirusit janë krijuar që të sigurojnë mbrojtje ndaj Covid-19, megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që një individ, i cili ka bërë vaksinën, të infektohet sërish në një kohë të caktuar. Tri arsyet kryesore janë:

Imuniteti nuk fitohet menjëherë

Duhet kohë që vaksinat të krijojnë imunitet dhe dy vaksinat e autorizuara të koronavirusit, Pfizer/BioNTech dhe Moderna, kërkojnë të dyja dy doza, të dhëna disa javë larg njëra-tjetrës, për të trajnuar sistemin imunitar të trupit.

Njerëzit mund të ekspozohen ndaj koronavirusit para se të vaksinohen, ose menjëherë pas tij dhe kështu nuk ka kohë që trupi të zhvillojë mbrojtjen e tij. Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) thonë se ndërtimi i imunitetit “zakonisht zgjat disa javë”.

Vaksinat mund të mos ofrojnë mbrojtje të përsosur

Asnjë vaksinë nuk është 100% efektive dhe prodhuesit e vaksinave të koronavirusit janë ende duke vlerësuar nëse dozat mbrojnë nga të gjitha infeksionet apo vetëm nga ato që shkaktojnë simptoma. CDC vlerëson se 40% e infeksioneve të koronavirusit nuk shkaktojnë simptoma. Në përgjithësi, të dy vaksinat siguruan rreth 95% mbrojtje gjatë provave klinike – kështu që një numër i vogël i njerëzve mund të infektohen sërish me virus edhe pas dy dozave.

Imuniteti mund të zbehet me kalimin e kohës

Askush nuk e di se sa kohë do të mbrojnë vaksinat nga infeksioni. Koronavirusi i ri ka qenë i pranishëm për një vit dhe fazat e fundit të testimit të vaksinave përfunduan vetëm disa javë më parë. Pfizer dhe Moderna ndoqën vullnetarët për të paktën dy muaj pas dozave të dyta. Mbrojtja e siguruar nga vaksinat mund të zbehet me kalimin e kohës dhe disa vaksina kërkojnë një tjetër dozë kohë më pas.

Ekziston gjithashtu mundësia që koronavirusi të shndërrohet në një mënyrë që i bën vaksinat më pak efektive. Llojet e virusit të gripit pësojnë mutacion vazhdimisht dhe kjo është një arsye që njerëzit kanë nevojë për vaksina të gripit çdo vit. Mjekët shpresojnë se koronavirusi nuk do të shndërrohet si gripi. Nëse kjo ndodh, megjithatë, teknologjia e përdorur për të bërë vaksinat e reja të koronavirusit është krijuar që të përshtatet lehtësisht.