Janë 89 mërgimtarë të ardhur në Ferizaj, Komuna iu kërkon të vetizolohen

0
166

Shtabi Emergjent i prirë nga Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu është në punë vazhdimisht për vlerësimin e situatës në territorin tonë sa i përket masave mbrojtëse kundër paraqitjes së virusit COVID-19.

Për këtë, ditë më parë, mobilizoi kryetarët e fshatrave dhe të lagjeve me qëllim ndërveprimin përveç për shpërndarjen sa më masive të mesazhit sensibilizues e njoftimit me udhëzimet e sjelljeve në kushte emergjence ashtu edhe për rastet e dyshuara, veçanërisht të ardhurit së fundmi nga mërgata shqiptare në Ferizaj.

Nga raportimet e Kryetarëve të Fshatrave dhe Lagjeve të Ferizajt, deri më tani, pra nga periudha 1 Mars e deri më tani, kemi 89 qytetarë të ardhur kryesisht nga Gjermania, Zvicra, Franca por edhe Italia.

Këtyre qytetarëve që jetojnë e veprojnë në mërgim e që tashmë gjenden në Ferizaj, përveç nga kryetarët e fshatrave e lagjeve të qytetit, i kërkohet vetizolimi edhe nga Shtabi Emergjent në krye të së cilit është i pari i Ferizajt, Agim Aliu.

Pra, vetizolimi i individëve, familjeve të ardhura nga shtete të ndryshme evropiane e të tjera si dhe zbatimi strikt i udhëzimeve të tjera të qeverisë qendrore e lokale është apeli që në baza ditore po parashtron udhëheqja e Komunës, në të kundërtën ekspozohemi ndaj rrezikut të paraqitjes së rasteve me CoronaVirus edhe në Ferizaj.

Verifikimi i të ardhurve po kryhet në terren vazhdimisht, në koordinim edhe me Policinë e Kosovës, të dhënat po plotësohen e po identifikohen raste të reja, andaj në funksion të shëndetit publik, kërkojmë nga qytetarët të shmangin krejtësisht daljet, përveç rasteve për qëllime furnizimi me produkte ushqimore. Kryetarëve të fshatrave dhe lagjeve të qytetit, përmes Komunës dhe Policisë i kërkohet të bindin bashkëqytetarët që të vetizolohen.