Jasharaj për deputetët që e ofenduan: Edhe unë kam familje, jam ndjerë shumë keq

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj ka folur rreth kompensimit të orëve mësimore të cilat janë humbur gjatë grevës në fillim të këtij viti.

Jasharaj ka thënë se orët nuk do të kompensohen.

“Orët e humbura nuk do të kompensohen as gjatë pushimit pranveror, as të shtunave e as në fund të vitit shkollor”, tha Jasharaj.

Ai ka folur edhe për gjuhën e përdorur ndaj tij, nga disa deputetë të Kuvendit të Kosovës gjatë javës së kaluar në seancën e jashtëzakonshme për orët e humbura.

Duke komentuar deklaratën e deputetëve të Nismas, Zafir Berisha dhe Milaim Zeka, Jasharaj ka thënë se ai dhe SBASHK-u, janë ndier të ofenduar dhe se për gjuhën e përdorur në Kuvend, do tu dërgojnë letër të gjitha institucioneve duke filluar nga Kuvendi i Kosovës, partisë Nisma dhe Ministrisë së Arsimit.

“Jam ndier, dhe më keq jam ndier kur më kanë thirr familja, dhe kur jam kthye shpi sepse edhe unë kamë fëmijë edhe ata kanë shokë e shoqe. Secili fëmijë e donë prindin e tij. Jam lënduar si njeri dhe po thamë se as Zafirit as atij tjetrit nuk i kam pas borxh. Asnjëherë nuk e kam ofenduar askënd. Ai ka rënë në një pozitë të ultë”, ka thënë Jasharaj.

Lini një Përgjigje