Jeton Demi: Prindërit e shqetësuar, lusim të gjendet zgjidhje sa më shpejtë e të fillojë mësimi

0
487

Jeton Demi nga Këshilli i Prindërve në Komunën e Prishtinës, ka ngritur shqetësim në lidhje me humbjen e orëve mësimore si pasojë e grevës në arsim.

Demi ka deklaruar se prindërit aktualisht janë në pozitë të palakmueshme.

“Shqetësimi i prindërve është i madh për mungesën e fëmijëve nëpër shkolla. Por, roli i prindërve është jashtë këtij procesi”.

“Prindërit nuk kanë qenë pjesë e asnjë vendimmarrje e pasojat i faturohen prindërve gjithsesi. Pozita e prindërve në këtë rast është e palakmueshme sepse bartin barrën e procesit e nuk janë pjesë e vendimmarrjes”.

Demi në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se po mundohen që t’i mbështesim të dyja palët sa është e mundur në mënyrë që të arrijnë një zgjidhje sa më të shpejtë. Ai ka drejtuar lutje për të gjitha palët e përfshira në këtë proces që të gjejnë sa më shpejtë zgjidhjen në mënyrë që të përfundojë greva.

“Edhe ne si prindër jemi të shkaktuar me gjendjen e arsimit në Kosovë. Kemi statistika që tregojnë se Kosova është pesë vjet mbrapa vendeve sa i përket zhvillimit të arsimit. Do të donim shumë që arsimi të ishte prioritet kombëtar dhe afatgjatë, i prekshëm edhe në kuptimin e investimeve”.

Jeton Demi gjithashtu komentoi deklaratat e kryetarit të Këshillit të Prindërve, Ymer Reshiti, të cilat i cilësoi si të pavend, ngase sipas tij,  ky këshill nuk e ka për detyrë të vlerësojë se kush çfarë page duhet ta ketë.

“Jemi të shqetësuar edhe me deklaratat e Ymer Reshitit, i cili ishte mjaft i njëanshëm në deklarimet e tij. Kryesisht kanë qenë deklarata kundër SBASHK-ut, duke bërë analiza që nuk na takojnë neve”.