Kabineti qeveritar në darkë te Pacolli. Cila është arsyeja?

Kabineti qeveritar sonte është mbledhur në rezidencën e zv/kryeministrit Behgjet Pacolli me ftesë këtij të fundit. Përveç anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, në shtëpinë e zëvendëskryeministrit Behgjet Pacolli kanë qenë të ftuar edhe Presidenti i vendit Hashim Thaçi dhe Kryeparlamentari Kadri Veseli, të cilët edhe po marrin pjesë në këtë takim.

Lajmi.net mëson se arsyeja e këtij takimi është ndryshimi në përbërjen e kabinetit qeverisës.

Një burim i ka thënë lajmi.net se ministri i Punëve të Brendshme Flamur Sefa mund të zëvendësohet. E kjo sipas këtij burimi për arsye të vendimit të fundit që Avokati i Popullit ia kishte konsideruar të kundërligjshëm. “Vendimi për anulimin e konkursit në Inspektorat e që Avokati i Popullit ia konsideroi të kundërligjshëm është një arsye e fort që Flamur Sefaj mund të zëvendësohet”, ka thënë ky burim.

Mbajtja e këtij takimi është konfirmuar edhe nga kabineti i Haradinajt, por që nuk janë dhënë detaje tjera.

Merret vesh se në këtë mbledhje do të diskutohet edhe për disa tema nëpër të cilat po kalon vendi, pa precizuar saktësisht, raporton gazeta blic.

“Gazeta Blic” ka bërë përpjekje që të marrë edhe një konfirmim zyrtar për këtë takim, nga ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe ai i Forcës dhe Sigurisë së Kosovës, Rrustem Berisha, por asjnëri nga ta nuk është lajmëruar në thirrjet e redaksisë.

Vlen të ceket se ky takim, është thirrur pikërisht në kohën kur në media po raportohet se anëtarë të subjekteve politike në pozitë kanë filluar t’ia tregojne rrugen shefit të AKR-së Behgjet Pacolli, i cili itë më parë në një emision televiziv “kërcënoi” kryeministrin Ramush Haradinaj me dalje nga koalicioni qeveritar.

“Nëse nuk ratifikohet demarkacioni dëmet do të jenë të pariparueshme. Do t’i humb kuptimi kësaj qeverie”, kishte deklaruar Pacolli.

E kërcënimeve të partnerit qeverisës nuk po u frikësohen Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Social Demokrate.

Madje shefi i grupit parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi ia ka lënë dyert e largimit hapur AKR-së.

Sherifi ka thënë për lajmi.net se secili partner “hynë kur donë, dhe del kur donë”.

“Hyrja në koalicion ka qenë vullnetare, edhe dalja eventuale e cilit do partner qeverises duhet te jete vullnetare. Kjo është demokracia. Secili hyne kur donë dhe del kur donë”, ka thënë Sherifi.