Kandidati Raif Qela, merr mbështetje nga Kryesuesi i Kuvendit të Prishtinës me fjalët më të zgjedhura

Agim Kuleta, Kryesues i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe mik i kandidatit të PDKsë me numrin 46 – Raif Qela i cili po kërkon edhe një mandate të deputetit, në një postim të tij duke e mbështetur Qelën ndër të tjera thotë: “Kur e kujtoj aktivitetin politik të Raifit, them i ka nja 112 vjet. Veprimtarinë politike kundër pushtuesit serb e filloi shumë i ri, qysh si 15 vjeçar, në vitin 1978.

Si 16 vjeçar burgoset për herë të parë. Sikur me pasë frikë që po zgjidhet problemi shpejt e ai po mbetet pa e dhënë kontributin e tij. Së bashku me një grup të rinjsh, kishin kryer shumë aksione. Ai që më ka bërë më së shumti përshtypje mua, është aksioni i prillit të vitit 1981, si 18 vjeçar. Së bashku me Mehë Ukën (dëshmor) dhe disa shokë të tjerë, kishin vendosur ta kryenin sulmin e parë kundër milicisë speciale serbe të asaj kohe. E lidhin një litar të fortë prej metali në drunjtë në të dy anët e rrugës, presin me durim dhe e tërheqin në momentin kur afrohet vetura e milicisë. Madje, këtë e përsërisin edhe një herë tjetër.

Në të dy rastet me dëme materiale e fizike dhe panik tek milicia. Raifi gjatë veprimtarisë së tij burgoset 5 herë (1979, 1981, 1984, 1987, 1993) dhe i vuan 14 vite burg të rëndë në burgjet më famëkeqe serbe, ku torturat fizike e psikike, edhe pse të tmerrshme, ishin të pafuqishme për ta thyer atë. Madje, fati i tij u kujdes që të mos e linte anash edhe në ngjarjen e masakrës në Burgun e Dubravës. Ishte bashkëveprimtar ideali i shumë heronjve, si: Jusuf Gërvalla, Fahri e Bahri Fazliu, Agron Rrahmani, Mehë Uka, Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Ali Ajeti, Fehmi Lladrovci e shumë të tjerë. Pas përfundimit të luftës dhe lirimit nga burgu, përkundër vuajtjeve të shumta, nuk e kishte humbur aspak vullnetin për jetë.

Pas 17 vjetësh, e ka vazhduar dhe përfunduar Fakultetin e shkencave matematiko-natyrore. Ka qenë deputet në Kuvendin e Kosovës në mandatin 2014-2018, ku ka dhënë kontribut të madh në miratimin e “Ligjit për Trepçën”dhe krijimin e kushteve për vazhdimin e punës së Ferronikelit. Gjithashtu, është angazhuar shumë për çështjen e shqiptarëve të dëbuar nga veriu i Mitrovicës.

Raifi është punëtor i madh dhe korrekt deri në dhembje koke. Kur ka qenë në gjendje t’i bëjë ballë 5 burgosjeve, pa dyshim që do t’i bëjë ballë edhe mandatit të dytë si deputet. Obligim yni është që t’ia japim mundësinë. Është nderë për mua që e kam mik. Është nderë për institucionin që e ka pjesë të tij.

Suksese Legjendë! #PDK112 #RaifQela46”