Kandidatja gjermane për kancelare Annalena Baerbock në shënjestër të dezinformatave ruse

0
195

Annalena Baerbock, kandidatja e të Gjelbërve për kancelare të Gjermanisë, po tërheq vëmendjen e Kremlinit me qëndrimin e saj të ashpër ndaj Rusisë.

Rusia e ka identifikuar 40-vjeçaren si një kërcënim për interesat e saj, pasi ajo është duke kryesuar në sondazhet përpara zgjedhjeve që mbahen në muajin shtator.

Kundërshtimi i saj lidhur me përfundimin e tubacionit të gazit “Nord Stream II”, midis Gjermanisë dhe Rusisë është një shqetësim i veçantë për Moskën.

Një zyrtar pranë qeverisë ruse ka thënë, se do të ishte i gatshme të bënte çdo gjë për të bllokuar rrugën e saj.

Të Gjelbrit tashmë kanë paralajmëruar Shërbimet gjermane të Sigurisë për një rritje të sulmeve kibernetike të taktikave të njohura ruse, megjithëse nuk kanë asnjë provë që Kremlini është i përfshirë. Vetë Baerbock është vënë në shënjestër të lajmeve të rreme dhe dezinformatave në rrjetet sociale.

Gjermania është një partner kyç evropian për Rusinë, e cila e sheh Berlinin si një kundërpeshë ndaj ndikimit dominues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në kontinent dhe se kancelarja Angela Merkel ka qenë pjesë kryesore e këtij ekuacioni. Ajo ka mbrojtur projektin “Nord Stream II” përkundër kundërshtimit nga administratat e SHBA-së dhe tensioneve me Moskën lidhur me helmimin e liderit të opozitës Alexey Navalny.

Por, Baerbock është duke sulmuar pa kompromis.

“Nuk na duhet ky tubacion, për arsye që lidhen me politikën e ngrohjes botërore dhe sigurisht në lidhje me politikën evropiane. Ju duhet të keni një qëndrim të qartë – të thoni se nuk do ta përfundojmë këtë tubacion”, ishte shprehur Baerbock.

Kremlini ka frikë se një fitore e saj do të ishte një pengesë e madhe për interesat botërore të Rusisë, duke prishur lidhjet e saj me Gjermaninë dhe duke i dhënë SHBA-së një fitore të madhe.

Me qeveritë perëndimore që janë në kërkim të veprimeve të paligjshme ruse, muajin e kaluar shërbimet amerikane të inteligjencës kanë dërguar në Berlin eksperten e tyre për ndërhyrjet në zgjedhje, Shelby Pierson nga Zyra e Inteligjencës Kombëtare (DNI).

Ajo u shpjegoi homologëve të saj gjermanë se sabotimi i zgjedhjeve ka shkuar përtej dobësive në infrastrukturën zgjedhore, duke përfshirë fushata dezinformimi shumë të sofistikuara dhe sulme kibernetike.

“Ka gjëra që janë të shpejta dhe të pista, të cilat nxiten Russia Today (RT) ose në llogari tjera të rrjeteve sociale që janë të lidhura me ta”, tha Mark Galeotti, ekspert i shërbimeve ruse të inteligjencës pranë Institutit të Shërbimit Mbretëror në Londër, duke iu referuar rrjetit televiziv të financuar nga Kremlini.

Në këtë drejtim, Baerbock u përball me akuzat se ajo zbukuroi rezymenë e saj dhe kishte bërë plagjiaturë nga një libër që parashtronte vizionin e saj politik. Hapa të tillë krijojnë terren pjellor për agjentët rusë që të përforcojnë komentet negative ndaj të Gjelbërve ose të përhapin dezinformata.

Mbështetja për Baerbockun ka rënë me rreth 10 pikë, gjatë tre muajve të fundit, duke e lënë atë si një partnere e mundshme e koalicionit të CDU-së të Angela Merkelit, sesa një alternativë si kancelare.

Zyrtarët rusë janë të bindur se ka informacion të mjaftueshëm për të dëmtuar Baerbockun.

Në fillim të kësaj jave, presidenti amerikan Joe Biden tha se, Moska po përpiqet të përdorë dezinformata për të ndërhyrë në zgjedhjet për Kongrez që mbahen në vitin 2022.

Ligjvënësit dhe punonjësit në Bundestag gjerman kanë vërejtur një valë sulmesh mashtrimi. Kundërzbulimi gjerman e identifikon këtë teknikë si një dredhi tjetër të zakonshme ruse.

Hakerët së pari synojnë anëtarët e partive të niveleve më të ulëta që janë më të prekshëm dhe mund t’i ndihmojnë ata të fitojnë qasje te zyrtarët e rangut më të lartë.

Po ashtu, kundërzbulimi gjerman ka paralajmëruar se ekziston formë e qartë e kërcënimit kibernetik me origjinë nga Rusia përpara zgjedhjeve të 26 shtatorit./Fokusi.info/