Kapen 613 kg kokainë kolumbiane në Portin e Durrësit

0
281

Në një operacion antidrogë të zhvilluar mbrëmjen e djeshme në Portin e Durrësit, është sekuestruar sasia më e madhe e kokainës, që është kapur ndonjëherë në vendin tonë.

613 kg kokainë gjendej në një kamion, i cili kishte për destinacion Italinë dhe ishte e paketuar e fshehur në ambientet e brendshme të mjetit të tonazhit të rëndë.

Droga kishte mbërritur nga Kolumbia rreth tre ditë më parë dhe sinjalizimet për transportin e saj kishin ardhur nga agjencitë partnere në Spanjë, Holandë e Gjermani, duke vendosur në gatishmëri policinë Kufitare.

Lidhur me këtë sasi kokaine është vënë në dijeni Prokuroria e Krimeve të Rënda. Nën udhëheqjen e prokurorëve është bërë gjatë natës kontrolli i një kamioni, që mbante kontenierë me banane dhe aty është gjetur droga.

Policia ka shoqëruar disa persona, që mund të kenë dijeni për lëndën narkotike dhe linjën e trafikut të kokainës. Ndërkohë kontrolle të tjera nga ana e policisë po kryen në disa banesa në qytetin e Durrësit./Gazeta Shqip/