Kapet i plagosur edhe njëri nga autorët e grabitjes në Rinas

Gazetarja Rudina Xhunga ka deklaruar në emisionin e saj se policia ka arrestuar një nga autorët e dyshuar të grabitjes sot në Rinas.

Sipas gazetares, policia përveç grabitësit të vrarë nga shkëmbimi i zjarrit midis tij dhe policisë, ka arritur të kapë edhe një nga autorët e dyshuar të grabitjes së bujshme të 10 milionë eurove në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas.

Ajo thotë se mbështetur në informacionet që ka, personi i arrestuar është i plagosur.

Ndërkohë, pavarësisht se kanë kaluar rreth 8 orë nga koha kur ka ndodhur ngjarja, policia ende nuk ka dalë me një deklaratë zyrtare përveç dhënies së informacionit paraprak ndërkohë që operacioni vijonte, dhe për këtë pritet nga çasti në çast që drejtues të lartë të saj të dalin në një konferencë për shtyp.

Lini një Përgjigje