KDI shpjegon procedurat se çfarë mund të ndodhë me buxhetin

0
220

Ndonëse po bëhet një muaj prejse është formuar Kuvendi i Kosovës kryesia ende nuk ka thirrur asnjë mbledhje, rrjedhimisht nuk është mbajtur asnjë seancë e as nuk ka nisur formimi i komisioneve parlamentare. Gjersa Kryesia e Kuvendit nuk ka folur rreth kësaj çështjeje, njohësit e rrethanave politike kanë thënë se formimi i komisioneve është çështje e cila duhet të përmbyllet urgjentisht.

Eugen Cakolli, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se meqenëse Kuvendi është formuar tashmë do të duhej që sa më parë t’i formonte komisionet parlamentare. Kjo sipas tij është një përvojë e re për Kuvendin, pasi në zgjedhjet e kaluara qeveria është votuar menjëherë pas formimit të Kuvendit.

Pavarësisht kësaj, meqë vendi gjendet në një situatë të tillë, sipas Cakollit, Kuvendi do të duhej të procedonte sa më parë formimin e komisioneve, pasi çështja e buxhetit kërkon trajtim të menjëhershëm. “Sa i përket votimit të buxhetit është një nga çështjet më të ndjeshme tani për tani dhe kërkon trajtim të menjëhershëm nga ana e institucioneve të vendi”, ka theksuar ai.

Kuvendit sipas Cakollit duhet që sa më parë t’i propozohet buxheti në mënyrë që vendi të mos pësojë krizë financiare.

“Kuvendit duhet t’i propozohet buxheti, në mënyrë që të mos rrezikojmë hyrjen në ndonjë krizë financiare krejtësisht të panevojshme duke qenë se dispozitat ligjore në fuqi parashohin që pas muajit mars nuk mund të bëhet asnjë pagesë e vetme nga buxheti i konsoliduar i vendit, që nënkupton se asnjë transaksion financiar nuk mund të kryhet nga Ministria e Financave”, është shprehur ai.

Megjithatë siç ka sqaruar tutje Cakolli, në rast se nuk arrihet të formohet qeveria deri në fund të këtij muaji, atëherë Kuvendi duhet të marrë një vendim për muajin mars për zgjatje buxhetore.

“Në rast se nuk kemi krijim të qeverisë deri në fund të këtij muaji, atëherë do të duhej që për muajin mars të merret një vendim nga ana e Kuvendit për zgjatje buxhetore në vlerën e 1/12 së buxhetit të vitit të kaluar, në mënyrë që të kryhen të paktën pagesat ose transaksionet, të cilat janë të parapara me buxhetin e vitit të kaluar”, ka theksuar ai.