KEK-u njofton se Blloku A5 është jashtë funksionit

Zëdhënësi i KEK-ut, Skender Bucolli ka bërë të ditur se njësia A5 e termocentralit Kosova A është jashtë funksionit teksa ka theksuar se së shpejti do të kthehet në operim

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka bërë të ditur se njësia A5 e termocentralit Kosova A është jashtë funksionit.

Këtë e ka bërë të ditur për Portalin Dukagjini, zëdhënësi i KEK-ut, Skënder Bucolli.

Ai ka thënë se pas remontit kapital, kjo njësi ka operuar nga 6 maji, por në fazë testuese.

Bucolli ka thënë se njësia A5 pritet të kthehet në operim së shpejti.

“Korporata Energjetike e Kosovës ju njofton se njësia A5 pas remontit kapital ka hyrë në operim me datë: 06.05.2023 dhe ka qenë në fazë testuese. Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar të gjitha vërejtjet të cilat jemi në fazën e eliminimit dhe njësia pritet të kthehet në operim së shpejti. Për më tepër, pas remonteve kapitale janë të planifikuara-nevojshme ndaljet për eliminimin e vërejtjeve për operim të sigurt të njësisë përkatëse”, ka thënë ai.

Ndërkaq më herët deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami përmes një postimi në Facebook ka njoftuar se blloku A5 është jashtë funksionit.

Ajo e ka kritikuar Qeverinë se po i vendosë “në koma” ndërmarrjet publike.