Kërcënohen policët në Zhur të Prizrenit, të dyshuar babë e bir

54

Jo rrallëherë zyrtarët policorë ballafaqohen me kërcënime serioze nga qytetarë në qytete të ndryshme të Kosovës. Shpeshherë kërcënimet verbale eskalojnë, duke ua vështirësuar punën e madje duke ua kërcënuar edhe jetën, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur të dielën mbrëma në Zhur të Prizrenit, ku Policia është kërcënuar nga dy persona, babë e bir, të cilët u kapën me zyrtarët policorë që kishin shkuar për të intervenuar pas denoncimit të një qytetari.

Sinjali mëson se dikush kishte njoftuar Policinë për prishje të rendit dhe qetësisë në orët e mbrëmjes në këtë fshat. Posa njësia policore ka dalë në vendin e ngjarjes, fillimisht i dyshuari E.K., nuk ka pranuar të bashkëpunojë me Policinë, ashtu që s’ka përfillur urdhrat për prezantimin e mjetit të identifikimit.

Për të mos mbaruar me kaq, teksa zyrtarët policorë po merreshin me të dyshuarin 22-vjeçar, aty ka ndërhyrë edhe babai i tij, A.K., i cili e ka kërcënuar Policinë. Për pasojë, i njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, teksa ai dyshuari tjetër ka ikur.

Babai i të riut që u fut në sherr me Policinë, sipas burimeve të Sinjalit ka qenë i dehur dhe menjëherë pasi është prangosur është dërguar në Qendrën e Mbajtjes, me urdhër të Prokurorit të Shtetit.