Kërkohet ngritja e shtatores së Heroit të Kombit Jashar Jashari (Duraku) në qendër të qytetit në Vushtrri

0
1220

KËRKESË PUBLIKE PËR NGRITJEN E SHTATORES SË HEROIT TË KOMBIT JASHAR JASHARIT, KOMANDANT DURAKU, NË QENDËR TË QYTETIT TË VUSHTRRISË

I nderuari kryetar i Komunës së Vushtrrisë, zotëri Ferit Idrizi

Në pranverën që po vjen bëhen 24 vite të fillimit të luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës nga okupatori serb.
Që ditën e fillimit të luftës së armatosur kundër pushtuesit serb nga Komandanti legjendar Adem Jashari, pikërisht më 5 Mars 1998 bie kushtrimi anë e mbanë botës ku kishte shqiptarë liridashës që ti bashkohen luftës së armatosur për çlirim.

Këtij kushtrimi do t’ju përgjigjen shumë bashkatdhetarë nga diaspora, të cilët kishin migruar vite më parë nga të gjitha viset shqiptare. Ndër të parët që e ndjeu përgjegjësinë që ti dal zot atdheut dhe popullit të tij ishte edhe Heroi i Kombit Jashar Jashari, Komandant Duraku nga Strofci i Vushtrrisë, i cili më 6 mars 1998 lë familjen, gruan me pesë fëmijë, në Gjermani dhe dy ditë më vonë bashkë me disa shokë arrijnë në Krumë të Hasit në kufirin Shqipëri-Kosovë.

Ndërsa në vendlindjen e tij në Strofc të Qyqavicës do të arrijë një muaj më vonë. Jashari që atë ditë shtëpinë e tij e kthen në bazë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe themelon njësitin e parë gueril të UÇK-së me bashkëvendësit e tij. Dhe pas konsolidimit të radhëve të UÇK-së në Qyqavicë më 11 qershor 1998 Jashari me njësitin e tij i zë pritë forcave policore serbe në fshatin Hamidi.

Ky ishte aksioni i parë në Artakoll i cili tronditi forcat serbe me ashpërsinë e luftëtarëve të UÇK-së, ndërsa nga humbjet që pësuan për një kohë nuk nisën më forca drejt Qyqavicës. Tek vushtrriasit u rrit besimi tek forca dhe vendosmëria e luftëtarëve të UÇK-së. Kështu që po të nesërmen mbi 200 vetë të fshatrave të Qyqavicës ja mësynë Strofcit ti bashkoheshin komandant Durakut. Ai i priti tek Lugu i Kishës me një fjalim prej trimi ” Nuk ka për të shkel këtu kamë shkau, për pa kalu mbi trupin tem”.

Jehona e pushkëve të 11 qershorit të vitit 1998 tek vushtrriasit nuk do harrohet kurrë. Prandaj qyteti i Vushtrrisë duhet ta ketë për nder që Komandant Durakun në përvjetorin e njëzet e pastë të kthimit të tij në Atdhe “si kthimi i Çerqiz Topulli me shokë”(thënie e Blerim Zhabarit), ta kthej në bronz në qendër të qytetit përkrah Adem Jasharit, komandantit legjendar.

Më 29 mars 1999 gjatë marshimit të një grupi prej 45 luftëtarëve të UÇK-së, nga Shqipëria për në Kosovë, në një pritë të forcave ushtarake serbe bien dëshmor Komandant Duraku së bashku me 13 bashkëluftëtarë të tjerë.
Më 17 mars 2017 shpallet Hero nga presidenti i Republikës së Kosovë, zotëri Hashim Thaçi.

Mbesim me shpresë se ju zotëri Kryetar të ktheni në bronz Komandant Durakun në qendrën e qytetit të Vushtrrisë përkrah Komandantit legjendar, Adem Jasharit.

Me nderime
Bashkëluftëtarët e Heroit të Kombit Jashar Jashari

Selami Neziri, Agron Xhemajli, Mehmet Isufi, Besim Beiri, Nesret Salihaj, Emin Xhinovci, Rrahim Tahiri, Habib Mustafa, Safet Hasani, Sami Hasani, Adem Aliu, Qamil Haliti, Vesel Raci, Remzi Salihu, Sami Ibishi, Xhevat Hajrizi, Xhevat Tahiri, Zenullah Klinaku, Afrim Krasniqi, Sabri Asllani