Kërkohet që Lugina e Preshevës të jetë temë e bisedimeve në Bruksel

Kryetari i Këshillit Nacional të Shqiptarëve në Luginë të Preshevës, Ragmi Mustafa, ka kërkuar përfshirjen direkte të kësaj pjese në tavolinën e bisedimeve në Bruksel.
Sipas tij, është shpresdhënës fakti që Kosova e ka përfshirë për herë të parë Luginën e Preshevës në platformën për dialogun.

Ky është postimi i plotë i tij:

PËRFSHIRJA E LUGINËS SË PRESHEVËS NË PLATFORMËN E KOSOVËS PËR DIALOGUN ME SERBINË TË BËHET EDHE FAKT NË TAVOLINËN NEGOCIUESE.

Shpresëdhënës fakti që Republika e Kosovës e përfshin për herë të parë zyrtarisht Luginën e Preshevës në Platformën e saj për dialogun me Serbinë.

Inkurajojmë Delegacionin Shtetëror, Qeverinë, Kuvendin dhe Presidencën e Republikës së Kosovës që ta bëjnë edhe fakt në tavolinën negociuese.

Pas mungesës së çështjes së Luginës së Preshevës në Rambuje, në Vjenë dhe në dialogun « teknik » të Brukselit, nuk ka dyshim se Lugina duhet të jetë temë e trajtuar në dialogun për marrëveshjen e mundshme përmbyllëse midis Kosovës dhe Serbisë, në përputhje me vullnetin politik të shprehur nga shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe me kërkesat e të zgjedhurve të tyre të shprehura në platformat e deklaratat e tyre politike, që nga Referendumi i vitit 1992 e deri në Deklaratën Politike të vitit 2018.