Kërkohet që viteve të ardhshme Qeveria të mos ua paguaj polisat kufitare mërgimtarëve

0
152

Instituti GAP ka publikuar raportin “Pagesa e policave nga buxheti i shtetit”, ku ka dalë në përfundim se një praktikë e tillë nuk duhet ndjekur në vitet e ardhshme.

Sipas këtij Instituti, kjo është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare.

“Raporti vlerëson se pagesa e policave kufitare nga buxheti i shtetit nuk do duhet të shërbejë si praktikë edhe në vitet e ardhshme. Kjo për faktin se është një shpërndarje e padrejtë e taksave të qytetarëve, duke subvencionuar një kategori të popullsisë në gjendje të mirë financiare. Në vend të kësaj, në periudhë afatshkurtër, Qeveria e Kosovës, BQK dhe BKS duhet të ua mundësojnë pjesëtarëve të mërgatës dhe të huajve që hyjnë në Kosovë, që policat kufitare t’i paguajnë në mënyrë elektronike (‘online’) me qëllim të shkurtimit të kohës për pritjet në kufi. Në aspekt afatgjatë, institucionet duhet të sigurohen që numri i veturave të paregjistruara dhe në qarkullim të ulet nga 30% në 5%, dhe kësisoj, të largohet edhe pengesa praktike për aplikim për anëtarësim në “Kartonin e Gjelbër”. Kosova është vendi i vetëm në territorin e Evropës që nuk është anëtare e sistemit të “Kartonit të Gjelbër”, një mekanizëm i përbashkët i 48 shteteve për sigurimin e viktimave të aksidenteve motorike ndërkufitare”, thuhet në njoftim.

Hulumtimi i GAP-it tregon se shpenzimet e diasporës për policat kufitare kapin rreth 3% të të gjitha shpenzimeve që ata bëjnë në Kosovë.

“Në kushte jashtë pandemie, më shumë se gjysma e diasporës realizon tri deri në katër vizita gjatë vitit në Kosovë, ku qëndrimi zgjat nga dy deri në katër javë, duke realizuar shpenzime me vlerë deri në rreth 4.6% të Bruto Produktit Vendor, apo 328 milionë euro. Kjo pa llogaritur remitencat, të cilat mesatarisht sillen në 620 milionë euro në vit. Duke marrë për bazë shpenzimet mesatare vjetore, shpenzimet e diasporës për policat kufitare kapin rreth 3% të të gjitha shpenzimeve që ata bëjnë në Kosovë”.

Qeveria para verës mori vendim që të paguajë policën kufitare për diasporën dhe më 11 gusht ndau pesë milionë euro për zbatimin e kësaj mase. Sipas të dhënave nga Byroja Kosovare e Sigurimeve, deri në fund të muajit gusht 2021, faturat e dorëzuara nga BKS në Thesar për policat e sigurimit kufitar kapin shumën e 2.4 milionë eurove. Sipas vendit të origjinës, shumica e veturave kanë ardhur nga Gjermania, Zvicra dhe Austria.